Sharri do të bëhet Park Nacional, pasi ta shëmtojnë me hotele, centrale dhe vikend shtëpiza të reja, thonë ekologët

Që Mali Sharr të shpallet Park nacional do të duhet të pritet deri në vitin e ardhshëm – 2020, sepse ende është duke u realizuar procesi i përgatitjes së Studimit për vlerësimin e këtij vargmali, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Sipas Iskra Stojanovës nga zyra e UNEP, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për mjedis jetësor, e cila është duke e përgatitur studimin, në zhvillim e sipër është faza e dytë e përgatitjes së tij, ndërsa pritet të jetë gati dhe t’u prezantohet palëve të interesuara vetëm në fund të vitit 2019.

LEXO: Nëse Mali Sharr nuk shpallet për park nacional i kanoset zhdukja e shumëllojshmërisë

“Hulumtimet në terren kanë përfunduar vitin e kaluar, ndërsa në fazën e dytë do të punojnë në zonat dhe në kufijtë e Parkut të ardhshëm Nacional “Mali Sharr” dhe në këtë proces, sikurse deri tani, do të përfshihen komunitetet lokale, para gjithash komunat të cilat gravitojnë kah Mali Sharr – Tearca, Tetova, Bogovina, Vrapçishti dhe Gostivari, po edhe organizatat e shoqërisë civile si Shoqata e Ekologëve të Maqedonisë SHEM dhe dy institutet – Instituti i ekologjisë i Universitetit të Tetovës dhe Instituti i biologjisë i UKIM”,  tha Stojanova.

Ministri i Mjedisit Jetësor, Sadulla Duraki, në shtator të vitit të kaluar e paralajmëroi shpalljen e Malit Sharr për Park nacional deri në fund të vitit 2019, me arsyetim se ky është një prej kushteve për hyrje në Bashkimin Evropian, i cili kërkon që 12 për qind të territorit të secilit shtet të jenë parqe nacionale.

“Paralelisht me Studimit për vlerësim, deri në fund të 2019 do të përgatitet edhe studimi socio-ekonomik për Malin Sharr”, tha Besa Tateshi, zëdhënëse e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Pas dëgjimit publik, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe planifikimit hapësinor duhet ta përgatisë propozimin përfundimtar për shpallje të zonës së mbrojtur Mali Sharr dhe t’ia dërgojë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, e cila do të vendos për shpalljen, përkatësisht për veprimet e mëtejshme në bazë të propozimit.

“Në kuadër të projektit për shpallje të Malit Sharr për Park nacional, po përgatitet edhe Lista e kuqe e specieve të rrezikuara, të cilat do të vazhdojnë të kenë vend prioritar në krijimin e masave dhe politikave për mbrojtje”, ka informuar për “Meta” Tateshi.

“Storjen për shpallje të Malit Sharr për Park nacional jemi duke e dëgjuar që nga viti 1996 dhe unë mendoj se edhe këtë herë nuk do ta shpallin, derisa nuk i përfundojnë të gjitha projektet infrastrukturore të cilat i kanë planifikuar – hidrocentralet e vogla, hotele, lagje të tëra me vikend shtëpiza”  thotë Aleksandra Bujaroska nga organizata joqeveritare “Frontit 21/42”.

Ajo shton se janë duke e monitoruar ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, të cilat i konsiderojnë si projekte jashtëzakonisht të dëmshme ekologjike.

“Sistemi i ndërtuar me kaskada, i tre hidrocentraleve të vogla në lumin Bistricë, tashmë ka shkaktuar dëme të jashtëzakonisht të mëdha, ndërsa uji është marrë plotësisht nga lumi”, pohon Bujaroska, duke theksuar se Ministria e Ekonomisë, sivjet në janar, ka publikuar thirrje për të paktën edhe gjashtë apo shtatë hidrocentralet në rajonin e Malit Sharr.

Nga Zyra e UNEP-it nuk mundën të vërtetojnë se sa projekte infrastrukturore dhe të tjera janë planifikuar të realizohen këtë rajon malor para se Sharri të shpallet park nacional, por theksuan se “të gjitha dokumentet e planifikimit do të merren parasysh”, gjatë përgatitjes së Studimit për valorizimin e vargmaleve të Sharrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button