Dialogu Kosovë-Serbi, në nivele të ulëta

Deri më 4 shtator nuk do ketë zhvillime të reja sa i përket dialogut Kosovë- Serbi pasi në atë kohë shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton pritet të takojë kryeministrin e ri të Serbisë, Ivica Daçiç. Ky takim sipas të gjitha gjasave do të jetë determinues për fatin dhe formën e dialogut, por jo më pak edhe fatin e marrëveshjeve të arritura nga dialogu që ka filluar marsin e vitit të kaluar.

Gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, të gjithë ambasadorët perëndimorë nënvizuan shumë herë nevojën e implementimit të marrëveshjes për “Menaxhim të integruar të kufijve/Pikave të Kalimit”, IBM.

Mesazhi ka qenë shumë i qartë për kryeministrin serb, Ivica Daçiç, pasi Serbia ka qenë shumë afër heqjes dorë nga kjo marrëveshje në përgjithësi. Këtyre mesazheve pritet t`u japë vulën përfundimtare baronesha Ashton gjatë takimit me shefin e qeverisë serbe, Daciç.

Dy javë më parë “Zëri” ka raportuar se pushtetarët e rinj serbë u kanë thënë zyrtarëve të tre shteteve, SHBA-ve, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe se IBM është një marrëveshje të cilën ata nuk e duan më.

Serbia thjeshtë nuk mund të pajtohet që policë serbë e shqiptarë të kontrollojnë së bashku kufijtë e veriut, ka qenë arsyetimi i zyrtarëve serbë. Sidoqoftë, reagimet e ambasadorëve të shteteve perëndimore gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 21 gusht, i kanë treguar Dacicit se ky arsyetim nuk pi ujë.

   

Lajme të ngjashme

Back to top button