Tetovë, mes ligjit dhe ilegalitetit zhvillohet beteja për udhëtarë

Duhet kaluar nëpër disa peripeci për të udhëtuar me mjetet e transportit publik nga Tetova në Shkup apo anasjelltas. Rrugës për te stacioni i autobusëve, nëpër trotuare gjenden vozitësit e furgonëve pa licencë adekuate të cilët lusin udhëtarët ndonjëherë deri në kufij të neverisë, për të udhëtuar me to.

“A jeni për Shkup, menjëherë nisem” është fjalia e zakonshme e tyre, që nuk do të thotë se është gjithnjë e vërtetë.

Këto taksistë ilegalë kanë dalë në rrugë për kafshatën e bukës, thonë që nuk mund të gjejnë punë tjetër.

“Nuk kemi rrugëdalje tjetër, le të na sigurojë ndonjë punë ky shtet, nuk themi se jemi legal jemi ilegal por kjo është mundësia jonë e vetme”, shprehet Nijaz Isaku, vozitës të cilit para tre muajve inspektorati për transport i konfiskoi furgonin që disa vite me radhë po transportonte udhëtarë nga Tetova për në Shkup.

Edhe Rexhep Ahmeti është njëri nga ata taksistë ilegalë që Inspektorati ia mori furgonin. Ai tani ka marrë një furgon me qira për të siguruar mbijetesën.

“Ne dolëm dhe në protesta për të kërkuar të na gjejnë çaren, të na legalizojnë ose diçka të ngjashme, por asgjë nuk u bë” thotë Ahmeti.

Mirëpo jo-gjithmonë këto taksistë janë të sjellshëm,shkaku i konkurrencës së madhe ka dhe zënka mes tyre. Mirëpo, më shumë e pësojnë vozitësit e linjave të rregullta të autobusëve të cilët kërcënohen nga taksistët mos ua marrin udhëtarët.

Shoferi i autobusit Euro-Turist, Stojan Stojanovski i cili bart udhëtarë çdo ditë në relacionin Gostivar-Tetovë-Shkup thotë se me to kanë një problem të madh, ndonjëherë nuk i lënë të ndalen ti marrin udhëtarët, madje dhe ato që kanë mujore.

“Personalisht kam pasur një kërcënim nga ata, por fatmirësisht e zgjodha pa ndonjë pasojë. Na i marrin udhëtarët, i dërgojnë më lirë pasi që nuk paguajnë as sigurim dhe as kontribute por ne nuk kemi çka të bëjmë, nuk mund ta zgjidhim ne këtë problem” tha Stojanovski.

Gjatë ditës sheh udhëtarët të hutuar të cilët gjenden para dilemës, me furgon apo me autobus?  

Aktualisht inspektorët e transportit janë në pushime verore ndërsa para tre muajve ndërmorën një aksion për të grumbulluar furgonët e taksistëve të  paligjshëm, të cilët janë mbi 500 në numër. Pas kësaj pasuan dhe protestat e vozitësve, por deri më tani problemit të tyre nuk i shihet zgjidhja. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button