Ahmeti: Të shohim përpara, në hasmëri të përjetshme nuk jetohet

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka pritur sot në një takim pune Ambasadorin e Federatës Ruse në Maqedoni, z. Oleg Shqerbak.

Kryetari Ahmeti vlerësoi interesimin e Ambasadorit Shqerbak për thellim të marrëdhënieve me Maqedoninë dhe foli rreth Marrëveshjes së Ohrit si një dokument i rëndësishëm që garanton pajtimin dhe ardhmërinë e vendit.

Ai theksoi që nuk mund të jetohet në hasmëri të përjetshme dhe që duhet guxim për ti lëvizur proceset përpara. Lideri i BDIsë foli edhe për çështjen e emrit duke theksuar që palët duhet të kenë qasje racionale ndaj zgjidhjes së problemit dhe të largojnë paragjykimet.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në Tetovë është takuar edhe me Kryetarin e Ulqinit, Nazif Cungu dhe deputetin shqiptar në parlamentin e Malit të Zi, z. Genci Nimanbegu nga partia politike Forca e Re Demokratike.

“Kryetari Ahmeti shtjelloi para mysafirëve situatën politike në Maqedoni si dhe të arriturat e vendit në aspekt të avancimit të të drejtave të shqiptarëve në këtë vend, përfshirë përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar, avancimin e përdorimit të gjuhës, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, zyrtarizmin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, parimin e Badinterit “ thuhet në kumtesën e kabinetit të Ahmetit./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button