Hoda: Policia kërcënon veteranët e UÇK-së!

Policia kufitare e Maqedonisë, muaj me radhë maltreton dhe provokon ish ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK në Maqedoni, Besim Hoda.

“Një nga pjesëtarët tanë duke kaluar kufirin është ndalur për disa orë në pikën kufitare të Jazhincës dhe është kërcënuar se, pavarësisht se për ku lëvizin, nëse nuk janë të dëgjueshëm mund të marrin plumb në kokë qoftë, në Shqipëri, qoftë në Kosovës, qoftë në Maqedoni, sepse shërbimet e Maqedonisë janë gjoja shumë të organizuara dhe e ruajnë armikun në çdo hap” tha Hoda për Portalb.

Ai më tej sqaron se veprimin e tillë policët kufitar e përsërisin edhe me bashkatdhetarët e tyre që punojnë jashtë shtetit.

“Sa herë që ata shoqërohen me ne, ndalen nga organet e policisë dhe pyeten për veprimet tona dhe se ne kur lëvizim jashtë shtetit, cilat janë punë që bëjmë atje, dhe pse ata na ndihmojnë me mjete financiare për të vazhduar aktivitetin tonë këtu” sqaron Hoda për Portalb.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski nuk ishte i kapshëm për tu prononcuar në lidhje me rastin.

“Ata po vazhdojnë të manipulojnë dhe maltretojnë të gjithë ata pjesëtarë të UÇK-së të cilët nuk kanë hyrë nëpër subjekte politike dhe vazhdojnë ta ruajnë idealin e luftës dhe gjakun e dëshmorëve dhe mbi të gjitha po tentojnë të mbrojnë interesin e përgjithshëm pse u nis lufta” thotë më tej Hoda duke apeluar publikisht deri te lideri i BDI-së Ali Ahmeti që të ndërgjegjësohet.

“Ka ardhur koha që Ahmeti të ndërgjegjësohet për punën që ka bërë, për kapitalin e madh që përfaqëson duke përfaqësuar idealin e luftës, se shumë shpesh thirret në atë ideal dhe besoj që një njeriu të cilit i atribuohet një sakrificë e tillë e madhe, lufta në Kosovë, lufta në Maqedoni, nuk guxon të sillet në mënyrë të tillë siç po e shohim tani. Është koha që politikanët shqiptarë në Maqedoni të ndërgjegjësohen dhe të respektojnë gjakun e dëshmorëve të rënë në të gjitha luftërat” përfundon Hoda. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button