Trajtimi i mësimit të gjuhës amtare shqipe në planet dhe programet arsimore dhe edukative të shkollës fillore (II)

Krahasimi me Programet mësimore të shteteve tjera

Analizat e bëra të planeve dhe programeve të shteteve të ndryshme europiane, e, sidomos në rrafshin e  përfshirjes së gjuhës amtare në sistemet e tyre të arsimit fillor, tregojnë se mësimi i gjuhës amtare është i përfshirë me fond shumë më të madh të orëve në krahasim me  shkollën fillore të Maqedonisë (e cila nga kl.I-III përfaqësohet me nga 6 orë në javë, nga kl. IV-V me nga 5 orë me nga 5 orë, kurse nga kl.VI-IX – me nga 4 orë) . Kështu, në disa shtete europiane ajo përfshihet me sa vijon: në Danimarkë me nga 9 orë në javë në kl.I, 8 orë-në kl.II, 7 orë në kl.III dhe 6 orë në kl.IV; në Greqi, nga kl.I-IV-me nga 9 orë, në Shqipëri, po ashtu me nga 9,8 e 7 orë, në Austri me nga 7 orë e k.m.r.

Prandaj, përderisa në këto shtete që i përmendëm, por edhe në shumë shtete tjera, mësimi i gjuhës amtare (nga kl.I-IV) përfaqësohet me më shumë orë mësimore (në Danimarkë – me 34 % nga fondi i përgjithshëm i orëve mësimore brenda javës,në Austri Greqi e Shqipëri -me 30%), në Maqedoninë e Veriut ajo përfshihet me 24%, edhe pse gjendja sociokulturore e nxënësve të këtij vendi është mjaft ekstensive dhe  heterogjene, si në rafshin etnik, po ashtu edhe në atë shumëgju-hësor – me dominim të nxënësve nga mjediset  rurale .

Kështu, një nxënës shqiptar i rrethit të Tetovës, Kumanovës apo, Shkupit ose Strugës apo Gostivarit e k.m.r.   po ballafaqohet me dy relitete etnike gjuhësore: shqipe dhe maqedonase, dhe me tri  praktika të përdorimit të saj, d.m.th. me tri realitete të gjuhës së folur amtare shqipe: me dominim të përdorimit të shqipes nëndialektikore në familje, me të folmen standarde-në shkollë, dhe me  të folmen e “rrugës”(në komunikim ndërmjet vet nxënësve). Prandaj, është shumë e domosdoshme që në fondin e përgjithshëm javor të orëve mësimore nga gjuha amtare  të shtohet numri i orëve, së paku në nëntë orë mësimore, edhe atë 5 orë lexim dhe 4 orë gjuhë; të hartohen tekste mësimore bashkëkohore, si dhe  të ndryshohet profili i arsimtarit, bashkë me praktikën e gjertanishme mësimore joproduktive, e, me këtë, edhe  metoda  e mësimdhënies dhe mësimnxënies në shkolla. Me këto intervenime të mundshme me primesa operative, mund  të krijohen kushte optimale për aftësimin e nxënësve për të shprehurit  lirshëm dhe në mënyrë ekspresive në gjuhën e vet amtare, që do të ishte edhe parakushti themelor për përvetësimin e mirë të gjuhës së mjedisit,e me këtë edhe të gjuhëve të huaja (të cilat duhet t’i mësojë që nga kl. parë). Në të kundërtën, shtrohet pyetja: si do t’i mësojë nxënësi i kësaj moshe gjuhët e huaja:  gjuhën maqedone , gjuhën angleze apo atë gjermane, kur ai (nxënësi shqiptar) nuk ka përvetësuar  akoma gjuhën  e vet amtare?  Pyetja e parashtruar, ndoshta, ende do të “digjet në erë!”. 

     Evaluimi nga këndi i pedagogut shkollor

Paraqitëm këtu të gjitha qëllimet dhe detyrat e stisura në dokumentet e cekura, jo për tjetër, por për të pasur primesa burimore më relevante për përqasjen eksplikative ndaj lëndës së shtruar për  trajtim dhe për të bërë një komparacion empirik ndërmjet Planit dhe Programit të punës edukativo-arsimore të mëparshëm, me Programin mësimor për lëndën e gjuhës amtare shqipe, sipas  Koncepcionit për edukimin dhe arsimimin fillor nëntëvjeçar të vitit 2007, në mënyrë që specialistët e ardhshëm që do t’i qasen kësaj çështjeje (për reformat e mirëfillta), t’i marrin për bazë vërejtjet tona të fituara nga eksperienca jonë pedagogjike.

Nga ky vrojtim analitik, përveç tjerash mund të potencojmë edhe atë, se, ky Dokument i ri pedagogjiko-didaktik paraqet një bazë pakëz më të favorshme për mësimin e gjuhës amtare shqipe në shkollën fillore,në krahasim me atë të mëparshmin. Por kjo nuk do të thotë se mësimi i suksesshëm  varet ekskluzivisht vetëm nga planet dhe programet mësi-more, që do ta vërtetojë mendimtari i njohur, Singer kur thotë: “Ne mund t’i ndërrojmë format mësimore, orët dhe planet mësimore, mund të ndërtojmë shkolla moderne, mund të formojmë klasë të vogla dhe të sigurojmë pajisje të mira shkollore sipas fjalës së fundit të teknikës dhe teknologjisë; mund të organizojmë këshillime dhe të fusim mjete bashkëkohore mësimore në shkollë, por nëse nuk kthehemi drejt resurseve njerëzore-arsimtarëve, nxënësve e prindërve – që ata vet të ndryshojnë, të orientohen drejt proceseve të reja inovative, të gjitha këto përpjekje do të ishin të kota.” Prandaj, për një pretendim të këtillë më se e nevojshme është depolitizimi dhe departizimi i institucioneve arsimore-decentralizimi i mirëfilltë i shkollës, stimulimi material i profilit të mësuesit si  faktor kryesor arsimor e edukativ, reformimi i  fakulteteve të mësuesisë, koordinimi i fakulteteve me nevojat  e tregut, shtimi i rolit dhe kompete-ncave të drejtorive të arsimit (Byrosë së arsimit),  zhveshja nga paragjykimet  politikaneske me primesa “pushtetore” të eprorëve të  Arsimit, eliminimi i stereotipeve dogmatike që janë prezente te disa realizatorë të procesit mësimor, e k.m.r.

Përqasje sublimuese

Nga përqasja analitike e mësipërme, nuk do të pretendoj të  lëshohem shumë në komentimin apo eksplikimin e objektivave dhe kërkesave të Planeve dhe Programeve të miratuara nga ana e specialistëve të fushës së arsimit, edhe pse ato nuk janë të paprekshme. Prandaj, në cilësinë e pedagogut shkollor do të potencoja vetëm vërejtjet dhe sugjerimet e mia që kanë të bëjnë, sidomos me nevojën për trajtimin më meritor të gjuhës amtare dhe shtimin e fondit të orëve mësimore nga kjo lëndë edhe në klasat pasuese. (Për cilësinë e teksteve mësimore të gjuhës amtare shqipe për nxënësit e shkollës fillore, nuk dua të japë ndonjë vlerësim konkret, pasi kërkon një analizë komplementare), kurse për metodën e mësimdhënies dhe mësimnxënies me predominim të praktikës së shabllonizuar – “ex catedra” të kësaj lënde nga ana e disa arsimtarëve përkatës, prononcohemi duke u bazuar në përcjelljen disavjeçare të rrjedhës së punës së përgjithshme edukativo-arsimore në shkollat fillore të vendit.

Për fund, të gjitha këto vërejtjet e mësipërme mund t’i sublimojmë në  sugjerimin vijues:

– Me procesin e reformave në arsim, është e patjetërsueshme nevoja për trajnimin  mësimdhënësve të ciklit klasor, por edhe të  gjuhës shqipe (nga kl.VI-IX) në lidhje me aplikimin e formave dhe metodave aktive në mësimin e gjuhës amtare;

– Procesi i ndërtimit të shkollës bashkëkohore të orientohet drejt stimulimit të tendencave pragmatike dhe racionale pedagogjike, edhe atë: drejt krijimit të pozicionit më aktiv të nxënësit në mësim, por kuptohet edhe të arsimtarit, madje, aplikimit të formave inovative të mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke mos lënë anash përvojat pozitive të shkollës sonë të traditës.

Nga: Sirija Etemi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button