Kriza politike, Gruevski tërhiqet apo jo?

Kriza politike mes dy partnerëve të koalicionit qeveritar partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski dhe asaj të Ali Ahmetit, nuk është duke ndikuar në punën e ministrave, kështu të paktën njofton zëdhënësi qeveritar Aleksandar Gjorgjiev. Sipas analistëve, deklaratat e tilla dhe rezultatet nga mbledhja e fundit e komitetit të VMRO-së ndoshta lënë hapësirë të mendosh se Gruevski ka filluar të tërhiqet nga qëndrimet e veta, sa i përket propozim-ligjit për të ashtu-quajturit “Branitella” dhe kërcënimit të BDI-së, se nëse në ligj nuk përfshihen edhe familjet e dëshmorëve të UÇK-së, do të braktis koalicionin qeveritar. Por, ende nuk dihet. 

“Qeveria e Maqedonisë funksionon me përbërje dhe kapacitet të plotë dhe me kondicion të mirë. Funksionet e sistemit qofshin ato ekonomike, politike, apo shoqërore po kryhen rregullisht dhe qytetarët duhet të jenë të qetë” tha Gjorgjiev.

“Ngjarjet e fundit kanë futur në pikëpyetje të madhe koalicionin qeveritar. Maqedonia disa probleme është dashur ti zgjidh më herët, por nuk janë zgjidhur. Tani ka ardhur momenti përfundimtar dhe është mirë që bisedohet të gjendet ndonjë zgjidhje jo e njëanshme, e favorshme për shqiptarët dhe maqedonasit dhe njëherë e përgjithmonë të mbyllen plagët e viti 2001 dhe të shkohet në frymën e MO-së që të forcohet mirëbesimi ndëretnik”, shprehet Ylber Sela, profesor Universitar. 

“Është koha e fundit që VMRO-DPMNE-së të fillojnë ti bien maskat, pasi që ajo e mori pushtetin në vitin 2006 për zhvillim ekonomik dhe disa parime për anëtarësim në NATO dhe BE dhe implementimin e MO-së. Ta kemi të qartë edhe ne shqiptarët por edhe maqedonasit se deri më tani VMRO-DPMNE nuk ka menaxhuar politikë parimore. Rasti i fundit vetëm dëshmon se ata nuk kanë ardhur në pushtet për realizimin e politikave që i kanë premtuar para elektoratit të vetë”, u shpreh analisti Afrim Gashi.

Mediet maqedonase thonë se Gruevski blen kohë për një marrëveshje të re Maji. Projekt ligji i partisë së kryeministrit Gruevski, për të drejta të veçanta për ushtarët maqedonas pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001, mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nga BDI thonë se qëndrimi i tyre është i pandryshueshëm. Ata kërkojnë që projekt ligji problematik të tërhiqet nga Kuvendi ose në të përfshihen amendamentet e BDI që parashohin edhe rregullimin e statusit të ushtarëve të UÇK-së. Në të kundërtën, nga partia e Ali Ahmetit  bëjnë të ditur se do të braktisin qeverinë. Nëse qeveria maqedonase humb mbështetjen e Parlamentit, zgjedhjet do duhet të shpallen brenda 60 ditëve. Jozyrtarisht flitet që zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të organizohen  në fund të këtij viti ose në mars të 2013-tës bashkë me zgjedhjet lokale. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button