Kosovë: Serbët sulmojnë ushtarët e KFOR-it

Të shtunën, në orët e hershme të mëngjesit, një grup serbësh kanë shtënë nga armët automatike në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, që janë të stacionuar në fshatin Jagenicë të Zubin Potokut, kanë njoftuar burime jozyrtare. 
 Sipas burimeve, grupi i serbëve të armatosur me armë AK 47, kanë shtënë mbi 200 herë në drejtim të ushtarëve të NATO-së. Në këtë sulm me armë zjarri nuk ka pasuar të lënduar ndër ushtarë të NATO-s, njoftojnë burimet, transmeton koha.net.

Ndërkaq, nga të shtënat aksidentalisht është qëlluar shtëpia e të ashtuquajturit kryetar i Komunës së Zubin Potokut, Slavisha Ristic. Shtëpia e kryetarit të komunës paralele serbe gjendet mu në afërsi të pikës së kontrollit të KFOR-it.

Goditjen me plumba të shtëpisë së Risticit e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë. Zëdhënësi i policisë rajonale të Mitrovicës, Besim Hoti, ka theksuar se ka pasuar një sulm të armatosur në fshatin Jagenicë, në afërsi të pikë kontrollit të KFOR-it, nga të cilat është qëlluar me disa plumba shtëpia e Risticit.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke i kryer hetimet. Për momentin nuk dihen arsyet e këtij sulmi dhe ndaj kujt ka qenë i drejtuar ky sulm me armë zjarri, ka thënë Hoti. Por, burime nga veriu i Kosovës kanë bërë të dituar se sulmi ka qenë i drejtuar ndaj ushtarëve të KFOR-it, me qëllim të frikësimit të tyre.

KFOR-i ditë më parë ka vendosur disa pika kontrolli në komunën e Zubin Potokut, ndërsa ka bllokuar tërësisht edhe lëvizjet në një rrugë ilegale që e kanë hapur grupet kriminale serbe gjatë vitit të shkuar me qëllim të kontrabandimit të mallrave nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button