Rufi Osmani: VMRO dhe BDI përsërisin tensionet e rrahjes në Kala të Shkupit

Lideri RDK-së opozitare, Rufi Osmani në intervistën dhënë për javoren Gragjanski ka ri-përsëritur qëndrimin e djeshëm të partisë së tij në të cilin thuhet se VMRO dhe BDI krijojnë kriza artificiale për të rritur rejtingun.

“Këto tensione artificiale që krijohen në relacionin VMRO-DPMNE dhe BDI nuk kanë bazë reale nga fakti se të dy partitë politike nuk kanë alternativa për të ndërruar partnerët momental të koalicionit, në kuptimin e ruajtjes së Qeverisë ose krijimit të shumicës së re parlamentare. Këto tensione janë të ngjashme me rrahjen masive që ndodhi në Kala të Shkupit’, është shprehur Osmani.

Ai thotë se nëse qëllimi i këtyre tensioneve qëndron në atë që Qeveria të ngritë rejtingun e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së me tendencë që të organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale, një gjë e tillë është e pranueshme edhe për opozitën.

“Por me kusht që gjatë kësaj periudhe do të formohej një Qeveri teknike që do të zgjidhte çështjen e emrit dhe do të organizonte zgjedhje të lira dhe demokratike” potencon Osmani.

Ai ka komentuar edhe vendimin e prishjes së bashkëpunimin me LSDM-në duke thënë se kanë dallime të mëdha në programin e tyre.

 “Bashkëpunimi i LSDM-së me PDSH-në është konjuktural dhe ka qëllime afatshkurtra pasi që këto dy subjekte politike nuk kanë asnjë qëndrim të përbashkët për asnjë çështje politike përveç që të zëvendësojnë VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në në ndonjë Qeveri të ardhshme. Nëse dikush mendonte se RDK-ja dhe unë personalisht si Rufi Osmani do të hyjmë në ‘gërshërë politike’ mes Cërvenkovskit dhe Thaçit, është mashtruar në mënyrë shumë naïve” është shprehur lideri i RDK-së Rufi Osmani. Intervista është vendosur edhe në web sajtin e RDK. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button