“Monstra”, Raufi: 10 ditë para vrasjes, MPB i ka dorëzuar Gjykatës mbi 870 transkripta nga materialet e përgjuara

10 ditë përpara se të ndodhë vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, Ministria e Punëve të Brendshme i ka dorëzuar Gjykatës Penale, mbi 870 transkripta me biseda të përgjuara nga 52 personat të cilët pas 12 prillit janë arrestuar në lidhje me vrasjen. Këtë e deklaron për Portalb.mk avokati mbrojtës i të akuzuarve për rastin “Monstra”, Naser Raufi duke theksuar se kjo nënkupton që personat që po akuzohen janë përcjellë nga Policia para se të ndodh vrasja, njofton Portalb.mk.

“I kam parë dy shkresa që MPB më 2 prill të vitit 2012 ia ka dorëzuar Gjykatës Penale me mbi 870 transkripta të materialeve të përgjuara, nuk e di nëse kanë bërë gabim teknik, por aty shkruante se janë dorëzuar më 2 prill. Sipas kësaj, atëherë të akuzuarit janë përgjuar përpara se të ndodh vrasja, gjegjësisht i bie që Policia ta ketë montuar rastin”, thotë Raufi, duke shpjeguar që asokohe s’ka pasur lëndë të formuar, apo rast se për çfarë të përgjohen të akuzuarit.

I pyetur nëse në bisedat e përgjuara nga Masat e Veçanta Hetuese, kuptohet se në çfarë periudhe kohore janë incizuar, Raufi thotë se nuk mundet të vërtetohet në çdo bisedë, por vetëm në disa.

“Nuk mund të vërtetohet në çdo bisedë, pasi që janë biseda normale. Në disa biseda ku të akuzuarit e komentojnë vrasjen, pra flasin për atë se çfarë kanë dëgjuar, aty kuptohet se janë bërë pas vrasjes, megjithatë ka biseda të cilat nuk dihet pasi që bëjnë bisedë familjare dhe private që nuk ka lidhje me vrasjen”, shpjegon Raufi.

Seanca e sotme gjyqësore ka vazhduar me dyer të mbyllura për opinionin pasi që janë nxjerrë përgjimet nga Masat e Veçanta Hetuese, gjegjësisht komunikimet që i ka siguruar MPB në periudhën prej 13 prill deri më 1 maj të vitit 2012 nëpërmjet përgjimeve të telefonave celular të të akuzuarve, transmeton Portalb.mk.

Të gjitha këto biseda, sipas avokatit Raufi janë private dhe të përditshme dhe të cilat nuk tregojnë apo dëshmojnë se të akuzuarit e kanë kryer veprën për të cilën akuzohen.

“Janë biseda të përditshme, të njëjtat nuk dëshmojnë se të akuzuarin e kanë kryer veprën. I presim përgjimet të cilat supozohet t’i ketë Prokuroria Speciale Publike dhe mendoj se ato do ta ndihmojnë gjendjen faktike që deri në fund të zbardhet ky rast”, thotë Raufi.

Ndryshe, në seancën e sotme kanë marrë pjesë, trupi gjykues, avokatët, të akuzuarit bashkë me avokatët e tyre, familjarët e të vrarëve bashkë me avokatët e tyre dhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe OJQ-së Koalicioni për Gjykim të Drejtë. Gazetarët edhe këtë seancë nuk u lejuan pasi që materialet që janë nxjerrë janë të klasifikuara.

Seanca e radhës do të mbahet më 13 mars, e cila gjithashtu do të jetë me dyer të mbyllura për opinionin.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur janë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button