U ndriçua tërësisht Çarshia e Vjetër e Shkupit

Të premten në mbrëmje kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski dhe ai i Komunës Çair, Izet Mexhti, zyrtarisht kanë promovuar projektin ndriçimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit, projekt ky i cili, sic thanë, ka për qëllim ndriçimin e tërësishëm të rrugëve të Çarshisë dhe revitalizimin e saj.

“Zyrtarisht lëshojmë në përdorim ndriçimin rrugor të Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Me këtë projekt i cili kushton 30 milion denarë, 50 për qind të cilat ka siguruar Qyteti i Shkupit ndërsa gjysmën tjetër Komuna Çair. Me këtë projekt janë përfshirë 19 rrugë të Çarshisë së Shkupit, do të thotë diku rreth 100 për qind Çarshia e Vjetër e Shkupit është e ndriçuar” tha kreu i Shkupit, Koce Trajanovski.

Me këtë projekt tani më të gjitha rrugët e Çarshisë së vjetër mund të jenë të qarkullueshme për qytetarët, tha kryetari i Komunës Çair, Izet Mexhiti.

“Çarshia edhe më tutje do të mbetet prioritet në agjendat tona. Përpjekjet tona për ta ringjallë dhe revitalizuar  Çarshinë e Vjetër nuk përfundojnë me kaq, ne mund të konstatojmë se është një projekt i realizuar në mënyrë të suksesshme, sepse i është përshtatur ambientit të Çarshisë. Çarshia është e ndriçuar tërësisht, ndërsa ajo që na mbetet në të ardhmen është se së bashku të ofrojmë përmbajtje dhe ofertë për ti mbajtur njerëzit në Çarshia të Vjetër” tha Mexhiti.

Në promovimin e projektit ndriçimi i tërësishëm i Çarshisë, morën pjesë edhe ministrja e kulturës Elizabeta Kancevska, dhe ai i pushtetit lokal Nevzat Bejta.

Ndryshe, realizimi i këtij projekti ka filluar në muajin mars të këtij viti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button