VMRO dorëzon nesër para deputetëve ligjin për branitellat

Partia e Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE nuk do të heq dorë nga ligji për pjesëtarët e forcave të sigurisë së Maqedonisë (ligji i branitellave). Sipas TV Alfa, propozim ligji i cili nuk përfshin ish ushtarët e UÇK-së nesër do të gjendet në parlament dhe deputetët do të mund ta shohin për të caktuar mbledhje të komisionit parlamentar. Nga VMRO për këtë TV kanë thënë se nuk e kanë mendjen të heqin dorë nga procedura edhe përkundër kërcënimeve të BDI-së për prishje të koalicionit.

Ligji u propozua nga VMRO si pasojë e ngjarjeve të Sllupçanit ku minstri Besimi u përkul para dëshmorëve të UÇK-së. Në këtë mënyrë dhe ndasitë mes partnerëve të koalicionit qeveritarë dita ditës po thellohen. Kryeministri Gruevski konfirmoi se ka krizë politike duke shtuar se është i gatshëm edhe për zgjedhje të parakohshme, nëse të njëjtat i dëshiron BDI. Ndërsa nga BDI thanë se nuk ndjejnë shqetësim të veçantë për këtë dhe se vijojnë me punët rutinore dhe plotësimin e agjendës së përcaktuar në rrethana të zakonta për realizimin e synimeve partiake, kombëtare dhe shtetërore.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi sot tha se do të bashkohet me BDI sa i përket kundërshtimit të këtij ligji.

Ish-kryeministri Vllado Buçkovski, duke analizuar situatat e fundit të cilat janë duke u zhvilluar mes tyre thotë se ka dy variante se si mund të përfundojë kjo situatë, qeveri teknike dhe pastaj zgjedhje parlamentare bashke me ato lokale, por gjithçka varet nga BDI dhe VMRO-DPMNE. 

“VMRO-DPMNE dhe BDI në vitin 2008 nxitën zgjedhje të parakohshme parlamentare, nëse tani vlerësojnë se kanë luhatje tek elektorati, ata mundë të shkojnë në zgjedhje, kjo është njëra variant që vjen si pasojë se asaj që ndodhi në Sllupçan dhe më pas deklarata dramatike e kryeministrit Nikolla Gruevski që ishte e sinkronizuar.  Por, nëse kjo deklaratë nuk është e sinkronizuar atëherë ngelet variant për qeveri teknike, ku zgjedhjet e parakohshme do të organizoheshin bashkë me zgjedhjet lokale në mars të vitit të ardhshëm. Gjithçka është në duar të e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së”, deklaroi ish-kryeministri Vllado Buçkovski. 

Ndërkaq, përkuljen e Besimit e ka komentuar edhe Ministrja e Punëve te Brendshme Gordana Jankullovska e cila  tha se vendosja e luleve në Sllupçan i ka lënduar ndjenjat e maqedonasve dhe se nuk pajtohet me keqpërdorimin e forcave të sigurisë të policisë apo armatës për interesa politike ditore apo partiake.

Ajo përkrahi ligjin për të drejta të posaçme të ,,branitellave” duke potencuar se kjo është vërtetim për politiken konzistente dhe principiele të VMRO DPMNE- së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button