Tetovë: Deponia mollë sherri mes Komunës dhe VMRO-DPMNE-së

Komuna e Tetovës ka hedhur poshtë akuzat e Komitetit komunal të VMRO-DPMNE-së. Zëdhënësi i Komunës, Flakron Pustina, ka thënë se partia e Gruevskit edhe më tej po tenton të mashtrojë opinionin, dhe se Komuna e Tetovës, vazhdimisht po merret me pastrimin e deponisë.

“Hedhim poshtë akuzat banale të Komitetit Komunal të VMRO-DPMNE-së në Tetovë lidhur me bartjen e mbeturinave të grumbulluara.  Ky subjekt politik  me akuza të pabaza po përpiqet të manipulojë qytetarët e Tetovës, në kohën kur Komuna ka vënë gjithë kapacitetet e veta për t’i dhënë zgjidhje bartjes së mbeturinave që mund të vërtetohet edhe në terren” tha Pustina.
Komiteti Komunal i VMRO-DPMNE-së, ka për tendencë ta politizojë situatën, tha më tej Pustina.

“Ky është një tentim i ulët për të manipuluar dhe për ta politizuar problematikën  shumë vjeçare të mbeturinave. I rikujtojmë këtij subjekti se qyteti i Tetovës nuk është pronë e VMRO-së , por i gjithë qytetarëve. Qytetarët e Tetovës tashmë e dinë se komuna e Tetovës po angazhohet me të gjitha forcat për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi” deklaroi Pusina. 
Ndryshe sot Komiteti komunal i VMRO-DPMNE- dega Tetovë, ka kërkuar  nga kryetari i Komunës  së Tetovës që sa më parë ta pastrojë deponinë , në të kundërtën do të ftojnë qytetarët në padëgjueshmëri qytetare./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button