Kumanovë: Urgjentisht të sigurohet Abetarja mbarëkombëtare

Shoqata e Arsimtarëve Shqiptare “Naim Frashëri” në Kumanovë – Likovë ka kërkuar nga Ministria e arsimit që urgjentisht të sigurohet Abetarja mbarëkombëtare edhe për nxënësit shqiptarë të Maqedonisë që sivjet janë ulur për herë të parë në bankat shkollore. 

Kryetari i shoqatës Etem Xheladini me bashkëpunëtorë sot  zyrtarisht parashtroi kërkesat me shkrim deri te ministri i Arsimit i RM-së, Pançe Kralev, zv/ministri Safet Neziri, Byroja për zhvillimin e arsimit, Qeverinë e RM-së, Parlamentin e RM-së, Ambasadën e Shqipërisë në Shkup, që urgjentisht të sigurojnë Abetaren mbarëkombëtare për nxënësit e klasës së parë, në vitin shkollor 2012/2013. Sot dhe në ditët vijuese, kërkesa në fjalë do të arrijë edhe deri te të gjitha komunat shqiptare të Maqedonisë. 

“Nëse brenda një afati të arsyeshëm, autoritetet kompetente nuk i përgjigjen pozitivisht kësaj kërkese, atëherë jemi të detyruar që me rrugë tjera ta sigurojmë këtë të drejtë universale të nxënësve tanë, të garantuar me ligjet vendore dhe konventat ndërkombëtare” reagon Xheladini.

Shoqata e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, Kumanovë – Likovë, vlerëson se në asnjë mënyrë nuk guxojmë të lejojmë të diskriminohen vetëm se nxënësit shqiptarë të Maqedonisë, derisa këtë mundësi e kanë të gjithë nxënësit shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button