Deponia e Tetovës sa pastrohet aq dhe mbushet!

Sot ka filluar bartja e mbeturinave nga vend shkarkimi  në afërsi të stacionit hekurudhorë në Tetovë . Rreth gjashtë kamionë të kompanisë private Golec Trans të angazhuar nga ana e Ndërmarrjes publike komunale Tetovë ia nisën bartjen e mbeturinave drejtë deponisë Rusino.
Sipas inspektorit shtetëror të ekologjisë Agron Rexha mbeturinat u pastruan para festave të Bajramit, por vendi është ri-mbushur.

“Jemi duke i pastruar mbeturinat dhe tani nuk kemi shkelje të ligjit edhe pse kemi një masë të madhe të tyre. Shkelje ligjore paraqet djegia e tyre por duhet të kihet parasysh në rastin tonë se bëhet fjalë për mbeturina biologjike dhe ndizen vetë. Nëse zbulojmë apo zbuloni se kemi të bëjmë me ndezje të qëllimshme atëherë duhet të thirret sektori për punë të brendshme që të bëjë hetime” tha Rexha.

Nga Komuna kanë përsëritur qëndrimin e tyre se punojnë intenzivisht për të zgjidhur këtë çështje.

“Komuna e Tetovës intenzivisht po punon për pastrimin e mbeturinave të grumbulluara dhe pa dyshim se do t’i jap fund kësaj problematike shumëvjeçare. Mbartja e mbeturinave mund të konstatohet edhe në terren, ku janë angazhuar edhe mekanizma shtesë. Punën intensive për pastrimin e mbeturinave tashmë e ka konstatuar edhe inspektori i ministrisë së ekologjisë” thonë nga Komuna e Tetovës.

Ndryshe, sot në qytetin e Tetovës kanë filluar të ndahen kontejnjer të rinj për mbeturina nga kompania Gjermane Hinkel. Kjo kompani tani është duke menaxhuar me mbeturinat në qytetin e Tetovës dhe nga dita e sotme do të ndahen rreth 190 kontejnjer .

Nga mungesa e kontejnjerëve, tetovarët djegin mbeturinat dhe ndotin në masë të madhe ajrin në këtë qytet buzë Sharrit.  /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button