Fier, ekzekutohet me 6 plumba babai i 2 fëmijëve

Tronditet Fieri. Një 45-vjeçar u ekzekutua me 6 plumba pistolete silenciator në një lokal të këtij qyteti. Lulëzim Heqimi, baba i dy fëmijëve, ishte duke pirë kafe, kur një person ende i paidentifikuar e ka qëlluar atë për vdekje. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit, bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 19:10, në lagjen “Liri Gero”.

Mësohet se viktima kishte pak muaj që kishte dalë nga burgu, pasi ishte dënuar për trafik të lëndëve narkotike. Pas vrasjes, blutë kanë shoqëruar 5 persona (klientë), të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Dyshohet se 45-vjeçari mund të jetë vrarë për hakmarrje, por nuk përjashtohet mundësia që ai mund të jetë ekzekutuar për trafiqe apo pas një sherri të çastit.

Me vrasjen e Lulëzimit, djemtë e familjes Heqimi janë përgjysmuar. Në vitin 1998 është ekzekutuar Arben Heqimi, i njohur si një nga kapot e trafikut të drogës në Fier. Ndërsa në vitin 2005, është vrarë vëllai tjetër, Rivelino Heqimi, i cili pohohet të kishte bërë vrasje. 

Në orët e mbrëmjes së ditës së martë , Lulëzim Heqimi është ulur për të pirë kafe në ambientet e jashtme të një lokali që ndodhet pranë banesës së tij, në Unazën e re “Skënderbeu” të qytetit të Fierit. Ai kishte porositur kafe dhe një shishe ujë, kur i është afruar një person dhe e ka qëlluar 6 herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas policisë lokale, 45 vjeçari ka marrë plumba në qafë, krah dhe brinjë (në anën e djathtë të trupit).

Më pas autori i krimit është larguar në ngushticat mes pallateve. Klientët e tjerë të lokalit kanë shtangur nga tmerri kur kanë vënë re Heqimin të mbuluar nga gjaku. Viktima është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Fierit, dhe më pas familjarët kanë tërhequr trupin e pajetë të babait të dy fëmijëve. Menjëherë është sinjalizuar policia, e cila ka mbërritur shpejt në vendngjarje./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button