Zeqiri: “Shkupi 2014”, projekt i ASHAM që ndan dhe përçan

Sot në kuadër të seancës së 35-të në Kuvend vazhdoi debati për projektin “Shkupi 2014”. Deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri theksoi se ky është projekt i ASHAM i cili bën ndarje dhe dallime në Maqedoni.

“Qeveria implementon konceptet e shekullit 19 dhe jo të shekullit 21 siç është ai i thyerjes së kufijve, koncept i integrimit, i afrimit të popujve dhe shteteve, por në Maqedoni ndodh krejtësisht e kundërta. Ne kthehemi në shekullin e XIX, duke u larguar nga konceptet dhe integrimet euroatlantike.

Është për të ardhur keq që partitë shqiptare partnere të VMRO-DPMNE-së nga 1998-2002 nuk kanë arritur të ndalin politikën e sllavizmit ku gjithandej nëpër Maqedoni u ndërtuan kryqe siç është edhe ai në në malin ‘Vodno’ të Shkupit, kurse periudha e viteve 2006-2012 kulmoi me ndërtimin e sheshit monoetnik ‘Shkupi 2014’”, tha Izet Zeqiri.

“Ditët e fundit edhe me paralajmërimin e ligjit të branitellave duket qartë se shqiptarët nuk mund t’i bëjnë ballë VMRO-së. Në vend që të sillen ligje edhe për të drejtat e posaçme të invalidëve, anëtarëve të familjeve të viktimave civile dhe anëtarëve të familjeve të dëshmorëve dhe të krijohet pajtimi dhe besimi i ndërsjellë”, tha Zeqiri.

Ndryshe, derdhja e parave të popullit për projektin kontroverz “Shkupi 2014” nuk ka të ndalur. Më shumë se 11 milionë euro do ta kushtojë Komunën Qendër garazha në kate e cila po ndërtohet në afërsi të Ndërtesës së Gjykatës, përgatitja e sheshit Kryengritja e Karposhit si dhe të kolonadës “Maqedonia e pavarur”, e cila po ndërtohet buzë lumit Vardar, objekte këto të cilat janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”.

/portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button