BDI nuk del nga koalicioni, blof politik i radhës

Njohësit e rrethanave politike janë të mendimit se janë tejet joreale dhe blof politik deklaratat e Bashkimit Demokratik për Integrim se do del nga Qeveria në rast se VMRO voton ligjin për “branitellat” duke mos përfshirë ish ushtarët e UÇK-së në të. Sipas tyre, sa herë që bie rejtingu i Qeverisë, partnerët në mënyrë të përbashkët orkestrojnë përçarje dramatike dhe kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ne shikim të parë tërë situata dhe këto deklarata vërtetë përkujtojnë zhvillimet e vitit 2008 dhe raportet e atëkohshme mes VMRO-DPMNE dhe PDSH, para zgjedhjeve te parakohshme parlamentare. Megjithatë dhe përkundër kësaj ngjashmërie dhe duke u bazuar mbi shembujt nga e kaluara, mendoj se kjo është vetëm një blof i radhës dhe lojë e paramenduar dhe akorduar nga koalicioni sundues për prodhim te krizave artificiale para zgjedhjeve vendore. Sipas modelit tani më të etabluar të “incidenteve” si që ishte ai në Kalanë e Shkupit ne vitin 2011” thotë ish diplomati Arsim Zekolli.

Ai thotë se është skeptik për këtë “dalje” nga Qeveria.

“Jam skeptik i thellë sikur edhe shumica e shqiptarëve, në sinqeritetin e një “patriotizmi të tillë neo-Shqiptar” që akordohet dhe miratohet në bashkëpunim me zotëri Gruevski” thotë Zekolli.

Për profesoreshën Biljana Vankovska, gjithçka është objekt pazarllëku dhe kërcënimesh, ndërsa ngandonjëherë është e mundur edhe të aktrohet  para opinionit për shkak se kushti është të fitohen vota nga elektorati i “vet”  (etnik). 

“Luajtja me fatet e qenieve njerëzore dhe me traumat pas-konfliktuoze është ajo që mund ta bëjnë këto partnerë, meqë nuk janë të aftë për dialog të duhur për temat e dhembshme të vitit 2001. Në fund, ndoshta edhe do të bëjnë tregti për pozitën e luftëtarëve “të vet”, por dëmi kolateral janë marrëdhëniet ndëretnike, të cilat edhe më teh do të përkeqësohen” thotë Vankovska.

Analisti Xhelal Neziri është i mendimit se BDI është në gjendje të përtypë gjithçka që të mbetet në pushtet për shkak të disa ndërveprimeve që nuk janë të lidhura edhe aq shumë me platforma politike. 

“Ky paralajmërim është një lloj shantazhi fëmijëror për VMRO-DPMNE-në që të ndërpresë iniciativën për sjelljen e ligjit që dyfishon beneficionet për pjesëmarrësit maqedonas në konfliktin e ARM-së dhe eliminon të gjitha mundësitë që të njëjtat beneficione t’i gëzojnë edhe ish-ushtarët e UÇK-së. Që nga viti 2011, me iniciativat e këtij lloji tani më të njohura për opinion, VMRO-ja vazhdimisht ia tregon derën dalëse BDI-së. Nëse kësaj radhe e braktis pushtetin, gjë për të cilën mendoj se nuk do të ndodhë, atëherë me siguri do të jetë e detyruar të shkojë ose nga vetë kryeministri ose nga faktorë tjerë” shprehet Neziri.

Ndërkaq, Edmond Ademi nga lëvzja PYKA thotë që duke u bazuar në përvojën e deri më tanishme, deklaratat për braktisje të koalicionit janë vazhdim i një filmi të deritanishëm.

“Dalja nga qeveria është moment politik i rëndësishëm për një shtet, mirëpo ashtu edhe ne këtë rast mendoj se nuk dilet nga qeveria përmes brifigjeve anonime! Nëse vërtetë e mendojnë atë, atëherë duhet ta bëjnë me emër dhe mbiemër në konferencë për medie” deklaroi Ademi.

Ngjarja në Sllupçan ku ministri i mbrojtjes Fatmir Besimi u përkul para ish ushtarëve të UÇK-së së bashku me persona të uniformuar nga Armata e Maqedonisë tronditi skenën politike në vend. Pas kësaj pasuan reagimet e vetë Presidentit, Qeverisë . Analistët thanë se është marketing politik duke theksuar se mosbesimi ndaj tij dëmton marrëdhëniet ndëretnike.  Besimi tha se është keqkuptuar, i dolën në mbrojtje partitë shqiptare, ambasada e Amerikës ndërsa vetë kryeministri Gruevski shprehi “hidhërimin e tij” ndaj Besimit duke e injoruar atë në manifestimin për 20 vite ARM. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button