Shkupi 2014, branitellat, priten debate të ashpra në Kuvend

Deputetëve si duket shpejtë do tu kalojë çlodhja e pushimeve verore sepse nga nesër në Parlament i pret debat i ashpër duke filluar nga seanca e 35 e Kuvendit, në kuadër të së cilës do të vazhdon diskutimi për “Shkupi 2014”.

Debat serioz në Kuvend pritet të ketë edhe për Kodin Zgjedhor dhe Propozim ligjin për financimin e partive politike, ligje këto me siglën evropiane të cilat janë dërguar për mendim në ODIHR/OSBE, dhe pritet që së shpejti të dorëzohen në Kuvend.

“Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor si dhe ai për financimin e partive politike janë përgatitur nga ana e Ministrisë së drejtësisë në bazë të rekomandimeve të dy grupeve punuese në suaza të Komitetit drejtues për reformën zgjedhore dhe janë dërguar për mendim në OSBE/ODIHR. Deri kah fundi i gushtit presim të marrim mendimin e tyre lidhur me ndryshimet e parapara” – tha për Portalb zëvendëskryeministrja Teuta Arifi.

Në Kuvend pritet të arrijë edhe ndryshimet e propozuara lidhur me dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit.

“Lidhur me dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit, sipas marrëveshjes së arritur me SHGM si dhe me inkorporimin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës, nga ana e Ministrisë së drejtësisë është përgatitur Propozim Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dekriminializim dhe i njëjti është dërguar përsëri për shqyrtim dhe mendim në Këshillin e Evropës” – thotë Arifi.

Menjëherë pas pushimeve deputetët e VMRO-së do të dorëzojnë në Kuvend Propozim Ligjin për të drejta të veçanta për pjestarët e forcave të sigurisë të Republikës së Maqedonisë, i cili parasheh beneficione të mëdha për forcat e sigurisë pjesëmarrëse në konfliktin e 2001, por nga ky ligj deklarativisht janë përjashtuar pjesëtarët e palës tjetër ne konflikt, UÇK-së.

LSDM-ja opozitare kishte paralajmëruar gjithsej shtatë seanca mbikëqyrëse për punën e qeverisë, të cilat gjithashtu duhet të fillojnë pas pushimeve. Bëhet fjalë për shqyrtimin e shtatë rasteve ku dyshohet për parregullsi në punën e qeverisë.

Nga ana tjetër, deputetët e PDSH-së krijuan praktikën e marrjes së pauzës një orëshe gjatë seancave të Kuvendit, në shenjë proteste për mos transmetimin e fjalimeve të deputetëve shqiptar në gjuhën shqipe. Ata paralajmëruan se protesta e tyre do të radikalizohet nëse nuk zgjidhet ky problem./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button