Assange: Obama ta ndalojë gjuetinë e shtrigave ndaj Wikileaks

Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange theu heshtjen disa-javore duke dalë para mediave. Ai i kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vecanërisht presidentit Barack Obama të ndalë atë që ai e quajti “gjueti shtrigash” ndaj faqes së tij. 

“Nuk po kërcënohet apo vendoset nën presion vetëm Wikileaks, por vetë liria e shprehjes dhe shëndeti i gjithë shoqërisë tonë”, tha australiani para mediave të grumbulluara para ambasadës ekuadoriane në Londër ku është i strehuar prej muajit qershor.

Gjuetia e shtrigave nga ana e Shteteve të Bashkuara duhet të marrë fund, vijoi Assange, duke bërë thirrje më pas për lirimin e ish-ushtarit Bradley Manning i arrestuar nga autoritetet amerikane si i dyshuari kryesor për rrjedhjen e informacionit diplomatik top sekret. 

Mendohet se Manning, që mbahet në burg prej vitit të kaluar, pasi ka fituar aksesin në qindra-mijëra faqe të dokumenteve sekrete të diplomacisë amerikane, ia ka dorëzuar ato Assange. Ky i fundit i publikoi më pas nëpërmjet faqes Wikileaks.

Publikimi shkaktoi jo pak stres për Departamentin e Shtetit. Në dosjet e publikuara diplomatët amerikanë në mbarë botën, dorëzonin raportimet e tyre në Uashington për udhëheqësit e vendeve ku shërbenin. Në këto raportime nuk mungonin epitetet sikletosëse, sic ishte ai për Silvio Berlusconi-n apo Vladimir Putin. 

Assange fitoi azilin politik nga Ekuadori, por cështja duket se do të shndërrohet në një incident diplomatik jo vetëm mes Britanisë së Madhe dhe vendit amerikano-latin, por mund të përfshijë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Suedinë. Kjo e fundit kërkon ekstradimin e australianit për ta vendosur para drejtësisë për akuzën e përdhunimit të ngritur kundër tij.

Ndërkohë, Londra është e vendosur për të mos lejuar udhëtimin e Assange drejt Ekuadorit dhe mban të rrethuar nën masa të forta sigurie ambasadën ekuadoriane dhe nga ana tjetër është shprehur se dëshiron një “zgjidhje miqësore” për cështjen në fjalë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button