Muslimanët festojnë Fitër Bajramin

Myslimanët në Republikën e Maqedonisë, si dhe e tërë bota islame, sot e feston Fitër Bajramin.
Bajrami është ditë e festimeve dhe falënderimeve ndaj Allahut. Fitër Bajrami shënon përfundimin e agjërimit të muajit të Ramazanit dhe është dita e parë e muajit Shaual. Shumica e myslimanëve e festojnë këtë Bajram të paktën 3 ditë.

Si çdo ditë ashtu edhe ditën e Bajramit një mysliman është i obliguar të falë namazin e Bajramit. Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 6:32 minuta.

Gjatë muajit të Ramazanit çdo mysliman  e ka për detyrim të japë sadakatul-fitrin. Fitri duhet të jepet para se të falet namazi i Bajramit, e nëse ndonjërit i kalon ajo kohë, atëherë ai sërish obligohet ta japë atë si kompensim.

Bajrami është dita kur takohet forca e të pasurit me dobësinë e të varfërit në dashuri, mëshirë dhe drejtësi nga shpallja e qiellit, titulli i të cilës është zekati, bamirësia dhe lehtësimi, është dita kur gëzohen fëmijët duke luajtur dhe duke u argëtuar, dita kur gëzohen të varfërit duke iu lehtësuar jeta dhe duke shijuar komoditet, dita kur farefisi takohen në bamirësi dhe kujdes për njëri-tjetrin, dita kur muslimanët bashkohen në falje dhe vizita reciproke, dita kur miqtë i ripërtërinë urat e dashurisë dhe elementet e afërsisë, dita kur shpirti fisnik i harron gabimet e të tjerëve ndaj tij, bashkohet pas ndarjes, pastrohet pas përnjollosjes dhe e përshëndet pas injorimit.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Reis ul Ulema H.Sulejman ef. Rexhepi me rastin e festës së  Fitër Bajramit 2012 i dërgoi mesazh myslimanëve në Republikën e Maqedonisë.

Bismil-lahir-rahmanir-rahim
“Ka shpëtuar ai që është pastruar, që përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet”. (El A’la; 14, 15)

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra

Përcollëm muajin më të madh të vitit, të cilin muaj do e përkujtojmë për shumë kohë për përkushtimin që patëm ndaj tij dhe për përgjigjen që i bëmë ftesës së Allahut Fuqiplotë për të agjëruar. Mbi të gjitha përcollëm edhe një herë nga jeta jonë këtë muaj të Kuranit Fisnik, përmes së cilit Ne jetojmë dhe ndërtojmë standarde të jetës dhe perspektivës tonë. Për gjatë gjithë këtij muaji dëshmuan se Kurani është jeta, morali, kushtetuta jonë duke respektuar parimet dhe gjithë atë që buron nga ky Libër i shenjtë Hyjnorë. Kur’ani është shpallja e fundit e Zotit për njerëzinë, testamenti i fundit i Allahut për krijesën më të bukur- njeriun, i cili paralajmëron se rrugëtimi njerëzor në tokë dhe në këtë gjithësi nuk është i kotë dhe pa qëllim, se veprat njerëzore nuk janë pa përgjegjësi dhe pa një synim.  Kurani është dërguar për të treguar shenjat e rrugëtimit të njeriut në këtë botë, por gjithsesi se edukimi ynë përmes tij do të jetë mundësia e vetme për të tejkaluar çdo sfidë dhe kontest shoqëror.

Të nderuar besimtarë!
Uniteti në mes nesh, mirëkuptimi  dhe toleranca ndërfetare me të tjerët, janë pasuritë më të çmuara të fesë dhe popullit tonë, veti të cilën e mësuam nga muaji i bekuar i Ramazanit nëpër xhamit tona dhe nëpër vende publike përmes iftareve. Ne jemi edukuar për të shtrirë dorën gjithsecilit pavarësisht se cilës fe apo nacionalitet i takon. Paqja që duhet dominuar mes njerëzve nuk është as më shumë e as më pak se një udhëzim që buron nga feja Islame. Toleranca, bashkëjetesa dhe respekti i ndërsjellt janë parime fundamentale dhe vlera të Islamit, pa të cilat nuk mund të paramendohet zhvillimi dhe ecuria e botës. Kjo është festa në të cilën ri-formohet dimensioni i moralit dhe virtytit, ri-rikrijohet miqësia, vëllazëria dhe marrëdhëniet e fqinjësisë. Sot të gjithë Ne duhet treguar nivelin e kulturës fetare dhe shkallën e moralit tonë duke ia shtrirë dorën gjithkujt dhe duke ia hapur derën e shtëpisë atyre që trokasin për të uruar këtë festë. Të jemi mikpritës të veçantë, fytyrat tona le të shkëlqejnë nga drita e besimit tonë që posedojmë. Sot dhe përjetësisht duhet të afrohemi dhe të kemi qasje të veçantë kur është në diskutim vatani dhe feja ynë, çështja dhe pozita ynë, tani është koha që ideologjia jonë të gjen mishërimin e vet dhe të reflekton tek mbarë vëllezërit tanë që na mbështesin nga diaspora e afërt dhe e largët. 

Redaksia e Portalb të gjithë besimtarëve ua uron këtë festë të madhe të Fitër Bajramit. Paqa dhe mëshira e Zotit qofshin mbi ju! Me shëndet! 

Lajme të ngjashme

Back to top button