Haradinaj: Tarifa mbetet në fuqi, nuk shkojmë në dialog me shantazh

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur qëndrimin e tij se tarifa prej 100 për qind për produktet nga Serbia nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Në një konferencë për medie, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj ka theksuar se kushtëzimi nga Serbia për vazhdimin e dialogut me Kosovën,me heqjen e kësaj takse, është shantazh ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe ndaj Kosovës, transmeton REL.

“Mendoj se është gabim që t’i pranohet njërës palë shantazhi. Është shantazh i pastër ‘nuk vij në dialog pa e hequr taksën’. Unë mund të them se nuk vij në dialog pa u kthyer në Interpol, nëse flasim kështu. Vërtetë është i habitshëm pranimi i shantazheve që i bën Serbia për dialog dhe ne nuk kthehemi në dialog të shantazhuar”, tha Haradinaj.

Ai ka folur edhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, por ka theksuar se nuk do të pranojë asnjë lloj të marrëveshjes, e cila do t’i cenonte kufijtë aktual të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, më 21 nëntor të vitit të kaluar ka vendosur tarifën prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Që atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta pezullojë këtë tarifë, në mënyrë që të hapet rruga për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button