Kriza lë gjurmë edhe në festën e Bajramit

Besimtarët e konfesionit Islam të dielën festojnë festën e madhe të Fitër Bajramit. Sofra e Bajramit si tradicionalisht grumbullon gjithë anëtarët e familjes dhe shënohet kjo festë. Por, fatkeqësisht jo të gjitha familjet kanë fatin këtë festë ta shënojnë bash ashtu siç duhet. Kriza ekonomike, rritja e çmimeve në treg pamundëson që shumë prej familjeve shqiptare në tryezën e Bajramit të kenë ushqim të mjaftueshëm.

Refik Aliju, kryefamiljar i familjes 6 anëtarëshe nga Shkupi, thotë se është e pamundur me një ndihmë sociale prej 4000 denarësh muajit ti dilet ne skaj e lere më të blejnë gardërobë dhe artikuj të ndryshëm ushqimor.

“Unë jetoj me nënën, bashkëshorten dhe tre fëmijë. Kushtet i kemi shumë të vështira, jetojmë vetëm me një ndihmë sociale. Jemi përgatitur shumë pak për Bajram, pasi edhe na kanë ndihmuar me Fitra dhe kështu i kemi blerë fëmijëve rroba” tha Aliu.

“Po jemi përgatitur për Bajram, si zakonisht ju kemi blerë fëmijëve rroba të reja, kemi përgatitur ëmbëlsirën tradicionale bakllavën, kemi ndarë fitra skamnorëve dhe shpresojmë të kalojmë sa më mirë këtë ditë të madhe për ne” tha Ismet Ibrahimi, shitës në Bit Pazar.

 “Jemi përgatitur për Bajram aq sa kemi mundësi, unë jam punëtor I thjeshtë, kam një familje pesë anëtarëshe dhe mundohemi jetën ta kalojmë me një rrogë timen prej 15 mijë denarësh. Nuk kemi arritur as fëmijëve tu blejmë diçka për Bajram, pasi me shtrenjtimet e reja, nuk mund t’ia dalim në fund muajit. Tani fillon edhe viti I ri shkollor, fëmijët duhet të blejnë lapsa fletore është shumë vështirë” tha Ekrem S.

“Siç e shihni edhe vetë ju punoj tërë ditën, merrem me shitje të gjëra të vogla si bateri të thjeshta që kushtojnë 10 ose 20 denarë, imtësira si stilolapsa, fletore të vogla, dhe besoni ose jo tërë ditën qëndroj këtu dhe ndonjëherë në fund të ditës nuk arrit të fitoj as 100 denarë. Jeta është e rëndë shumë, familja kërkon, tani edhe për festën e Bajramit fëmijët duan të jenë të barabartë me të tjerët, por ne kemi gjendje të vështirë, na kanë ndihmuar disa kushërinj më të pasur me fitrat dhe kështu mendojmë që së paku sofrën e Bajramit ta shtrojmë siç duhet” tha B.S nga Shkupi.

Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button