Obama e Klinton urojnë kosovarët për Fiter Bajramin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i ka dërguar një telegram urimi presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e festës së Bajramit, ka njoftuar presidenca e Kosovës.

Në telegram shkruan se “Ramazani është periudha që familjet dhe bashkësitë përjetojnë kënaqësinë e traditës, duke u mbledhur së bashku në reflektim, adhurim dhe shërbesë”.

Pastaj zoti Obama ka theksuar se “në emër të popullit Amerikan, po ju përcjell dëshirat e mia më të mira, në kohën kur ju dhe populli i juaj feston Fitër Bajramin” dhe ka shfaqur shpresën se “muaji i shenjtë i Ramazanit do tu sjellë të gjithë myslimanëve një periudhë të ripërtritjes dhe përbashkimit me njëri tjetrin”.

Telegrami dërguar presidentes Jahjaga, përfundon me urimin që ajo dhe populli në Kosovë “të përjetoni paqe, shëndet dhe prosperitet gjatë vitit të ardhshëm”.
 
Ndërkaq edhe Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, i ka dërguar një telegram urimi ministrit të jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, me rastin e festës së Bajramit.

“Meqë jemi në përfundim të Ramazanit, muajit të shenjtë të agjërimit dhe lutjeve për myslimanët në të gjithë botën, kam kënaqësinë të uroj myslimanët për një Bajram me qëzim dhe paqe”, thuhet ndër të tjera në urimin e sekretares Klinton.

Më tej, në telegramin e saj, theksohet se myslimanët në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën, do të bashkohen për Bajram, sipas traditave të tyre të pasura dhe të ndryshme, duke festuar vlerat e përbashkëta të familjes, solidaritetit dhe komunitetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button