Ministria e Arsimit dhe Shkencës në krye me Arbër Ademin plotësisht jotransparente, nuk dihet ku i ndan paratë e popullit

Ministria e Arsimit dhe Shkencës është jotransparente, nuk respekton kërkesat e mediave, me këtë edhe të drejtën e informinit të popullatës, me paratë e të cilëve paguhen të punësuarit dhe ministri Arbër Ademi. MASH nuk kishte prezantim të publik të buxhetit dhe investimeve të planifikuara për vitin 2019, por edhe pse lista kërkohet mbi dy muaj nga Portalbi, kjo ministri si ka vendosur të heshtë dhe lë hapësirë për dyshime se me qëllim po fsheh të dhënat.

Redaksia Portalb.mk qysh ne fund të muajit nëntor të vitit që lamë pas kërkoi nga zëdhënësja e MASH, Laura Papraniku të dhënat se në cilat shkolla do të investohet dhe sa do të jetë investimi, por një informacion i tillë nuk u dha nga ana e saj.

Nga mungesa e transparencës nga ky dikaster Portalb.mk u detyrua që këto informacione t’i kërkojë nëpërmjet Ligjit për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik. Redaksia jonë këtë kërkesë e nisi me datë 26 dhjetor 2018, te personi përgjegjës për këto çështje në MASH, Anastasia Trajkovska, e cila qysh atë ditë (26 dhjetor 2018) konfirmoi pranimin e kërkesës.

E telefonuar pothuajse çdo ditë, Trajkovska jepte të njejtën përgjigje për Portalb.mk se :”Kërkesa juaj është duke u përpunuar”.

Pas skadimit të afatit ligjor prej një muaj për kthim të përgjigjes (26 janar 2019), MASH ende nuk ka kthyer përgjigje, duke shkelur kështu Ligjin për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik dhe parimin e transparencës.

Gjatë konferencës për shtyp të MASH-it, të mbajtur më 28 janar 2019, gazetarja e Portalb.mk ia drejtoi pyetjen për listën e detajuar të investimeve ministrit Arbër Ademi, i cili tha se së shpejti do të publikohet, duke mos dhënë ndonjë datë kur, apo arsye se pse nuk është publikuar ende.

Me datë 29 janar 2019 Protalb.mk sërish kontaktoi Trajkovskën duke pyetur për përgjigjet e kërkuara në anë ligjore, dhe ajo dha përgjigjen se kërkesa është përpunuar dhe se pritet vetëm nënshkrimi nga Ministri dhe të ju niset, por sot, data 31 janar 2019 dhe përgjigjet nuk janë dhënë ende. Trajkovska sërish pohon se ato janë gati por që nuk janë nënshkruar ende.

“Përgjigjet tani më disa ditë më parë janë bërë gati dhe janë dërguar për tu nënshkruar te ministri. Pa nënshkrimin e tij nuk mund t’i nisim”, tha Trajkovska, e cila shtoi se nuk e di se kur mund të nënshkruhen. Portalb.mk i tha asaj se nëse shkelet afati duhet të plotësohet dhe dërgohet ankesë drejtuar MASH-it për mos respektim të ligjit, Trajkovska tha se mund ta bëni ankesën, pasi që nuk mund të thoshte datë se kur do të kthehen përgjigjet.

Për rastin në fjalë, Portalb.mk u ankua edhe te Komisioni për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik. 

Për rastin në fjalë, Portalb.mk njoftoi edhe Ministrin pa portofol të ngarkuar për Komunikime, Llogaridhënie dhe Transparencë, Robert Popovski, i cili tha se do të reagojë.

“Mirë që më njoftuat për këtë çështje, dhe dua të ju informoj se janë duke u përgatitur disa ndryshime në këtë ligj, pasi që ka ankesa për institucione të caktuara të cilave iu mungon transparenca dhe nuk respektojnë ligjin dhe nuk iu përgjigjen pyetjeve të gazetarëve lidhur me informacione të karakterit publik. Ju vazhdoni punën tuaj dhe publikoni të gjitha ato institucione që kanë shkelur ligjin dhe janë jo transparentë”, tha për Portalb.mk, Popovski.

Presim nga ministri, megjithatë të tregojë transparencë dhe vullnet të mirë, të publikojë informatat që janë me interes të madh publik, sidomos për të informuar nxënësit dhe punëtorët e arsimit a do të rinovohen shkollat që janë në gjendje të keqe, duke pasur parasysh se shumë premtime janë dhënë, me vite, për disa shkolla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button