Telegrame ngushëllimi për Xhaferin, madje dhe Pavle Trajanov

Telegram ngushëllimi për vdekjen e Arbën Xhaferit, mes tjerësh ka dërguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov. 

“Arbën Xhaferi ishte politikan, ku aktivitetin më të madh politik e kushtoi në ndërtimin e Republikës së Maqedonisë dhe i cili angazhohej që çështjet e hapura ti mbyllë nëpërmjet bisedimeve dhe dialogut. Arbën Xhaferi do të kujtohet si politikan i drejtë dhe i guximshëm”, shkruan në telegram e ngushëllimit të Pavle Trajanov. 

Trajanov ishte personi që Xhaferin e ka akuzuar si bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë dhe më vonë të MPB-së, nga të cilat ka marrë mbështetje logjistike për formimin e partisë së tij.

Edhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni ka shprehur ngushëllimet e tyre.
“Vlerësojmë se kontributi intelektual dhe politik i z.Xhaferit në ndërtimin e kapaciteteve shoqërore – demokratike në Maqedoni, gjatë këtyre dy dekadave, është i jashtëzakonshëm, andaj edhe shuarja e tij fizike është humbje e madhe për të gjithë. Inteligjenca, vizionariteti, urtësia, maturia dhe elokuenca politike e Arbën Xhaferit, në çastet më të vështira kur po kalonte populli ynë, tregojnë se ai si intelektual i mirëfilltë, i kaloi kufijtë e gëzhojës së vetë politike, duke u mishëruar me fatin e gjithë shqiptarëve. Andaj, nuk ka dyshim se ideologjia dhe intelektualizmi i tij do të rrezatojë gjatë kohë në këto troje” shkruan mes tjerash në urimin e ShHSHM.

Ngushëllime dhe telegrame të shumta ngushëllimi në adresë të familjes së Xhaferit kanë ardhur dhe nga Ali Ahmeti, Rufi Osmani, DR, politikanë dhe funksionar të Shqipërisë dhe Kosovës madje dhe më gjerë. Ndërkaq në varrim morën pjesë kreu i PS, Edi Rama, deputeti socialist, Pandeli Majko, kreu i LSI, Ilir Meta, kreu i Vetvendosja, Albin Kurti, Behgjet Pacollit i AKR, kryetari i BDK Hysni Shaqiri dhe të tjerë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button