Rinovohet tërësisht sh. f. Liria në Shkup

Ministria e ekonomisë dhe komuna e Çairit do ta rinovojnë tërësisht shkollën fillore Liria në komunën e Çairit në Shkup. Projekti i përbashkët do të kushtojë rreth 400 mijë dollarë.

Ministri i ekonomisë Valon Saraçini pas inspektimit të punimeve në shoqëri të kryetarit të komunës Izet Mexhiti dhe përfaqësueses së Bankës Botërore në Shkup Lilija Borunçuk tha se me rinovimin e përgjithshëm të shkollës përveç se bëhet përmirësim i kushteve për mësim, do të kursehet një shumë e madhe parash që shkolla i shpenzon për ngrohje çdo vit.

‘Ky është një investim i cili do të mundësoj kursim efektiv të energjisë , pasi që do të ndërrohen të gjitha dyert dhe dritaret, do të instalohen material për izolim ngrohës në çati dhe në muret e jashtme  do të instalohet kontroll automatik të sistemit të ngrohjes , dhe njëkohësisht do të zëvendësohen të gjitha poçet me të reja që do të jenë më efikase. Me të gjitha këto investime Liria tash e tutje do të kursej nga 50 mijë dollarë në vit për ngrohje dhe rrymë’, deklaroi Saraçini.

Kryetari i komunës së Çairit Izet Mexhiti tha se me projektin në fjalë përmbyllet renovimi i të gjitha shkollave të ciklit të ulët në Çair, përfshirë këtu edhe dy shkolla që u ndërtuan nga themeli, shkollat fillore ‘7 Marsi’ dhe ‘Kongresi i Manastirit’.

‘Më 1 shtator nxënësit, arsimtarët dhe prindërit do ta gjejnë shkollën fillore ‘Liria’ tërësisht të rinovuar, do të jetë për të gjithë një gëzim i madh, ndoshta i njëjtë si në ditën kur u ndërtua kjo shkollë. Ne para dy viteve kishin një investim por më të vogël se ky, që përfshinte ngrohjen qendrore dhje fasadën e jashtme, ndërsa me projektin aktual ku participojmë me 50 për qind të vlerës, bëhet renovimi i tërësishëm i saj ’, deklaroi Mexhiti.

Ministri Saraçini informoi se shuma e përgjithshme e investimit është 20 milion denarë apo rreth 400 mijë dollarë amerikanë, 50 për qind të së cilave janë siguruar nga Ministria e ekonomisë përmes një granti nga Banka botërore dhe 50 për qind nga komuna e Çairit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button