Ali Ahmeti ngushëllon familjen e Xhaferit

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, përmes një telegrami shprehi ngushëllimin e tij për familjen dhe shokët e Arben Xhaferit, me rastin e ndërrimit jetë këtë pasdite.

“Me keqardhje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim të respektuar, Arbër Xhaferit.

Gjatë tërë këtyre viteve ka pasur situata jo të lehta me të cilat jemi përballur duke filluar që në ditët e luftës së popullit tonë për liri që rezultoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit e deri në këto ditë të implementimit të saj.

Ka pasur gjëra për të cilat jemi pajtuar por edhe shumë gjëra për të cilat kemi pasur qëndrime të ndryshme, por ajo të cilës i jemi përmbajtur gjithnjë, ka qenë niveli njerëzor i komunikimit tonë personal dhe politik.

Duke u bazuar në këto vlera konsideroj se largimi nga kjo jetë e Arbër Xhaferit, është një humbje për politikën dhe mendimin intelektual shqiptar jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë.

Prandaj me lejoni që në emrin tim personal por edhe në emër të subjektit që unë përfaqësoj të Ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta” – thuhet në telegramin e Ali Ahmetit./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button