Ekspertët: Priten shtrenjtime të reja, thellohet kriza

Maqedonia vazhdon të mbetet shtet pa mirëqenie ekonomike dhe shoqëria e këtij shteti dita ditës po thellohet në krizë serioze. Këto janë konstatimet e ekspertëve të ekonomisë Hamdi Aliu dhe Bilall Kasami, duke komentuar avazin e rritjes së çmimeve të karburanteve, energjisë elektrike, bukës duke vënë në spikamë mundësinë e rritjes së serishme të tyre në periudhën që vjen.
 
Ekonomisti Hamdi Aliu, profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Hamdi Aliu tha se të gjitha shtrenjtimet janë të lidhura njëra me tjetrën dhe rritja e çmimeve cdo tre muaj vërteton se banorët e kësaj republike sa më tepër thellohen në mjerim dhe skamje në aspektin ekonomik.
 
Në Maqedoni, siç potencoi Aliu, mungon së pari mirëqenia ekonomike dhe të dhënat e sakta makro ekonomike.
 
“Nëse rroga mesatare është diku 350 euro sipas të dhënave të entit statistikor apo të institucioneve përkatëse, atëherë unë i kisha lutur atë që është ekonomisti më i fuqishëm apo kryetarin e Qeverisë të bëj kalkulim për katër anëtarë të familjes dhe me 35 euro a do të kalon një muaj ditë me të gjitha gjërat elementare për një jetë të nivelit shumë shumë të ulët. Do të thotë nuk flas për nivel të lartë apo të mesëm të jetesës. Sidomos, shtrenjtimi i karburanteve, i energjisë elektrike, që është bazë për zhvillimin e prodhimit në ekonomi, assesi nuk mund të ndalet në ciklin e rritjes së çmimeve të konsumit të përgjithshëm në tërësi “përfundoi Aliu.
 
Shtrenjtimi i produkteve bazë i cili merr buxhetin kryesor të familjes, është indikator shumë negativ i cili rëndon edhe më shumë jetën e rëndë të qytetarit, kështu ka komentuar trendin e rritjes së çmimeve profesori i ekonomisë në Universitetin Ballkanik në Shkup, Bilall Kasami.
 
“Sa u përket shtrenjtimeve të fundit të produkteve bazë të cilat përbëjnë përditshmërinë e çdo qytetari, që konsumohen dhe pa të cilat s’mundet të jetojë as një familje mesatare e as ajo nën mesataren e standardit jetësor i konsumojnë më së shumti siç janë rryma, buka, dhe të gjitha kompetentet të cilat janë pjesë përbërëse e shportës konsumuese. Dhe këto janë  indikatorët që tregojnë se një ekonomi, një vend, një shoqëri gjendet në një krizë serioze dhe kjo është një indikator i mjaftueshëm që shteti dhe shoqëria të ndërmarr masa më serioze dhe për parandalimin e kësaj” tha Kasami.
 
Nëse Qeveria nuk ndërmerr hapa për zbutjen e kësaj situate, mund të presim edhe shtrenjtime të reja, paralajmëroi Kasami.
 
“Po të mos ndërmerret ndonjë hap më serioz nga ana e qeverisë dhe të gjithë institucioneve relevante edhe më tutje do të përkeqësohet situata. Dhe ky zinxhir i shtrenjtimeve do të vazhdojë. Shtrenjtimet e fundit do të kenë efekt domino te prodhuesit,ata do të bëjnë rritjen e produkteve të tyre dhe kjo pastaj do të jetë shkak i rritjeve të tjera dhe të përkeqësimeve edhe më të mëdha të mëtejshëm të standardit jetësor” tha Kasami. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button