Sela: BDI ka dështuar prandaj do bëjë ministrat kryetar komunash

Informatat e fundit se Bashkimi Demokratik për Integrim ka tendenca të kandidojë disa ministra aktualë për kryetarë komunash, deputeti opozitar i Partisë Demokratike Shqiptare Ziadin Sela i ka komentuar si dështim i radhës dhe ikje nga përgjegjësia.

“Nuk ka se si të sqarohet ndryshe përpos një dështimi të politikës së BDI-së. Është mënyrë më e lehtë e BDI-së për ti ikur përgjegjësisë duke kandiduar këto ministra për kryetarë komunash. Duke u nisur nga Teuta Arifi e cila nuk ka bërë gjë që kur është zv/kryeministre për euro-integrime e deri te Musa Xhaferri të cilin e shohim vetëm për ndonjë organizim solemn. Është e pakuptueshme që ende nuk kanë të dhëna zyrtare për përfaqësimin e drejtë ndërsa kur flasin për shifra u referohen të dhënave të avokatit të popullit duke harruar se ka ministër të ngarkuar për këto çështje” tha Sela për Portalb.

Ai më tej ka kritikuar dhe ministrin e drejtësisë Blerim Bexheti për rastin “Monstra”.

“Blerim Bexheti nuk mund të amnistohet nga ajo që i ndodhi me rastin e viktimave të procesit të montuar politik të radhës “Monstra” që në korridor të gjykatës kur u rahën brutalisht, domethënë femrat shqiptare që më pas dolën pa faj, e të mos flasim më pas për gardianët e burgut të Manastirit që rrahën të paraburgosurit. Do ta përmend dhe Nevzat Bejtën që është i pafuqishëm edhe para një kryetari të komunës si është rasti me Çuçer Sandevën” thotë Ziadin Sela.

Sipas tij, çështja nuk qëndron te ajo se çfarë ministrash do të zgjedh partia në pushtet, por te koncepti i gabuar i BDI-së.

“Kushdo që të vijë në vendin e tyre nuk besoj se do të ketë ndonjë sjellje tjetër përpos kësaj. Arifi kishte paralajmëruar se BDI duhet të kthehet në popull, dhe jam i bindur se do të kethet por duke e rrëzuar populli këtë parti nga pushteti” thekson Sela. 

Ndërkaq, duke folur për kandidatin e PDSH në Strugë për zgjedhjet lokale 2013 ai ka mohuar kategorikisht se do të del si garues nga radhët e kësaj partie.

“Deri më 5 tetor ju do ti dini të gjithë kandidatët për kryetar komune nga partia jonë. Ne synojmë pushtetin qendror jo atë lokal andaj kandidatura ime do të ishte kthim prapa” tha Ziadin Sela. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button