Kufijtë, Prishtina akuzon Shkupin zyrtar

Pala kosovare akuzon Shkupin zyrtar se po neglizhon në ndërtimin e pikës së përbashkët te kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.

Sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës Bajram Rexhepi, përkundër fizibilitetit dhe fondeve të siguruara nga Komisioni Evropian, shteti maqedonas po ngadalëson ndërtimin e pikës së përbashkët, e cila është parashikuar të ndërtohet mes Stançiçit e Bellanofcit.

Rexhepi rithekson se arsyetimi i Shkupit zyrtar është bazuar tek mungesa e asfaltimit të një pjese të rrugës, ndaj pjesa maqedonase ka parapëlqyer që pika të mos jetë funksionale gjatë 24 orëve, por kjo kërkesë është refuzuar nga pala kosovare.

“Këtu ka pasur ngecje pak për shkak të palës maqedonase. Edhe pse është bërë fizibiliteti, janë ndarë mjetet nga Komisioni Evropian, mirëpo arsyetimi i tyre ka qenë se ata kanë një pjesë të rrugës që i mungon, rreth 12 kilometra, dhe kanë tentuar që mos të jetë e kategorisë së parë. Ne kemi kërkuar që ajo të jetë 24-orëshe dhe për qarkullim të mallrave, ndërsa maqedonasit, për shkak të kursimeve ose arsyeve të tjera, kanë insistuar që të jetë e kategorisë B ose C”, deklaroi Rexhepi.

Rexhepi njoftoi se shkak i këtyre mosmarrëveshjeve ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit zyrtar është bërë fakti se pala kosovare nuk e ka pranuar opsionin maqedonas dhe tani per tani po zhvillohen bisedime që të gjendet një zgjidhje lidhur me këtë çështje. 

Lajme të ngjashme

Back to top button