Bereqeti i Natës së Kadrit

Ky muaj i bekuar i Ramazanit, përpos bekimit të netëve të veta, ka edhe një natë të veçantë e cila e ka bekimin e vet.

Natë të cilën duhet ta shfrytëzojmë, me qëllim që të gëzojmë të mirat dhe bekimet që i ngërthen në vete.

Ai që sillet me injorim ndaj kësaj nate, ai që e neglizhon këtë natë, pa dyshim se është një njeri shumë shkurtpamës dhe i pafat.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Kush privohet nga të mirat e kësaj nate është i privuari”. (sahih).
Andaj duhet përpjekur dhe vepruar, duhet nxituar dhe luftuar për ta shfrytëzuar në formën më të mirë këtë natë.

Nata e Kadrit është një natë përplot me të mira, një natë e ndershme, me vlerë të madhe dhe me llojlloj bereqete.

– Prej bereqeteve të kësaj nate është se është më e vlefshme se një mijë muaj.

“Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!”.

Domethënë më e mirë se tetëdhjet e tre vjet e katër muaj.

– Prej bereqeteve të kësaj nate është se në këtë natë ka zbritur Kur’ani:

“Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të kadrit). Ne dëshiruam t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm”. (Ed-Duhan: 3).

– Prej bereqeteve të kësaj nate është se ai që e ngjall me adhurime me besim dhe shpresim të shpërblimeve, i falen mëkatet që i ka bërë më herët, siç transmetohet në dy sahihet nga Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu.

Këto janë disa bereqete të kësaj nate, edhe pa dyshim se janë vetëm një pjesë shumë e vogël e gjërave me të cilat All-llahu e ka veçuar këtë ummet, i cili është ummet i bereqetshëm, Libri i këtij ummeti është i bereqetshëm dhe Pejgamberi i këtij ummeti është i bereqetshëm.
Bereqetet që ia ka sjellur All-llahu këtij ummeti për shkak të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, janë të shumta.

All-llahu ka lëshuar bereqet në këtë ummet në mëngjesin e hershëm, i ka dhënë bereqet në punët e tyre, dijen e tyre, andaj e ka bërë ummetin më të mirë dhe më fisnik te All-llahu.

Shejhul-Islami Ibn Tejmiu, rahimehull-llah, thotë:

“Secili që analizon gjendjen e botës do të vërën se muslimanët janë më mendjeprehtët dhe më mendimdrejtët, ata për një kohë shumë të shkurtër fitojnë nga realiteti i dijes dhe veprave shumifish më shumë se sa që munden të tjerët të fitojnë gjatë shekujve dhe gjeneratave”.

Kurse në një vend tjetër thotë:

“All-llahu ka udhëzuar me bereqetin e pejgamberllëkut të Muhammedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, me udhëzimet dhe sqarimet që ka sjellur, aq mirë, saqë nuk mund ta përshkruan askush, i ka tejkaluar njohjet e dijetarëve më të mëdhenjë, saqë ummeti i tij, besimtarët në përgjithësi, e dijetarët në veçanti, kanë arritur dije të dobishme dhe vepra të mira, moral të madh, sunete udhërrëfyese, saqë nëse mblidhen urtësit e tërë popujve, qoftë dije ose vepër, të pastruar nga çdo njollë dhe ta krahasojmë me urtësinë që ka sjellur Pejgamberi, alejhisselam, do të shohim dallimin shumë të madh, që pengon njohjen e përpjestimit mes tyre. All-llahun e falënderojmë siç dëshiron dhe është i kënaqur Zoti ynë. Këtu nuk është vendi për ti sjellur argumentet dhe dëshmitë për këtë”.

Qëllimi është, agjërues të nderuar, që të tentojmë të përfitojmë nga këto erëra dhe të fitojmë nga këto bereqete, edhe ate me besim, vepra të mira, sinqeritet, pasim të sunnetit, shpresim të shpërblimit dhe ikja nga mëkatet.

Në vijim do të sjellim edhe një koment të shkurtër të sures El-Kader të marrë nga mr. Abdulatif Birxhavi, i cili u ka dhënë një vështrim komentues sureve të shkurtëra të Kur’anit, me qëllim të plotësimit të vështrimit tonë kësaj nate të bekuar.

Ska dyshim se ky vështrim ka edhe shumë aspekte tjera, të cilat duhet të sqarohen dhe shpjegohen, mirëpo kjo mund të bëhet në shkrime tjera.

Përmblodhi: Burhan SEFERI

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button