Osmani: Për 3 vite siguruam 12.5 milion euro për Gostivarin

Përcaktimi i rejtingut kreditor nga ana e Agjencisë Moody’s  ishte momenti  kryesor  që  hapi rrugën për marrje te kredive dhe donacioneve nga bota e jashtme për komunën e Gostivarit.

Kështu u shpreh kryetari i kësaj komune  Rufi Osmani para gazetarëve duke prezantuar punën e Zyrës për zhvillim ekonomik lokal që punon në kuadër të Komunës së Gostivarit.

“Reformat mundësuan që në fazën e parë të realizohen kreditë në vlerë prej  1.2 milion euro, të fitohet e drejta e aplikimit për kredi të re prej  5 milion euro, së fundi  u fitua e drejta për marrjen e një donacioni prej 2,3 milion franga  nga SECO, Zvicerane. Këto fonde financiare do të zgjidhin përfundimisht problemin me  ujin e pijshëm në Gostivar” tha Osmani.

Këto fonde janë realizuar  direkt nga komuna  e Gostivarit  dhe NP “Komunalec” në sfera të ndryshme:  ujësjellës dhe kanalizime, trafik rrugor, sipërfaqe publike, ndriçim publik, sigurim të pajisjeve për  NP komunale dhe  arsim.

“Vlera e projekteve të  realizuara  nga fondet e jashtme është mbi  1,2 milion euro. Projekte të miratuara dhe që janë në fazë prokurimi  kapin shumën  mbi 2,7 milion euro. Projekte te miratuara qe presin fazën e prokurimit janë  2,3 milion euro. Zyra e ZHEL-it në komunë dhe në Komunalec  ka përgatitur projekte dhe ka   parashtruar aplikacionet në institucione ndërkombëtare për projekte me vlerë  prej 6,615 milion euro me garanci maksimale se këto fonde do i miratohen komunës tonë në fazën e ardhshme”, nënvizoi Osmani.

Numri një i Gostivarit, potencoi se në periudhën kohore 3 vjeçare, komuna e Gostivarit ka arritur të sigurojë fonde financiare në vlerë të përgjithshme prej  12.5 milion euro nga institucione te ndryshme ndërkombëtare.

“Këto fonde financiare janë siguruar nga: Banka Botërore  shuma  1,8 milion euro, EBRD banka  2,1 milion euro; KfË  banka 6,3 milion euro; SECO – Zvicër  2,1 milion; TIKA e Turqisë 350 mijë euro, SDC e Zvicrës  150 mijë euro  dhe pjesa tjetër nga më tepër institucione të huaja”tha ai. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button