ITU konteston rezolutën e Kuvendit për një kod unik mes Kosovës dhe Shqipërisë

Institucioni kryesor ndërkombëtar i telekomunikacionit ITU konteston rezolutën e Kuvendit për një kod unik mes Kosovës dhe Shqipërisë. 

Sekretari i ITU-së, Hamdaun Toure, e ka quajtur si precedent miratimin e rezolutës, duke shtuar se Kosova mund ta ketë kodin e vet vetëm pasi të anëtarësohet në OKB. Ndërkohë, kryeministrat e të dyja vendeve janë dakorduar në parim.

Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për një kod unik me Shqipërinë nuk ka gjetur pajtimin e institucionit kryesor ndërkombëtar të telekomunikacionit ITU.

Sekretari i këtij institucioni, Hamdaun Toure, gjatë një takimi me kreun e shtetit shqiptar, Sali Berishën, ka thënë se kodet e telefonisë së shteteve përcaktohen nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit.

Në rastin e rezolutës të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ai ka thënë se do jetë një precedent vërtet serioz nëse Parlamenti vetë vendos për këtë punë. Sipas tij, Kosova mund ta ketë kodin e vet vetëm pasi të anëtarësohet në OKB.

“Kur një vend njihet nga Kombet e Bashkuara, atëherë ne ia vendosim kodin këtij vendi. Kodi i fundi që iu dha ishte ai për Sudanin Jugor. 

Ky kod jepet dy orë pas deklarimit që bëhet nga Kombet e Bashkuara. Ndërkohë, ne marrim të njëjtin vendim në rast se ky vendim merret nga OKB-ja. Teknikisht ne përgatitemi dhe më pas nuk do të ketë asnjë problem”, ka thënë Toure

Përdorimi i kodit të një vendi tjetër, ka shtuar ai, do të krijojë shumë probleme teknike, sepse vetëm tani janë 6 bilionë telefona celularë dhe secili nga ato është unik.

“Kemi një rregull mjaft të qartë në këtë drejtim dhe unë do t’i këshilloja të gjithë palët të punonin në këtë mënyrë transparente dhe në bashkëpunim”, ka vlerësuar Toure./GazetaEkspress

Lajme të ngjashme

Back to top button