Veseli: BE t’i trajtojë barabartë Kosovën dhe Serbinë

Kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli, deklaroi se Kosova ka pritur një reagim më të balancuar nga Bashkimi Evropian lidhur me vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, duke porositur se rruga e Kosovës drejt Brukselit nuk kalon dhe nuk do të kalojë përmes Beogradit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, kryeparlamentari Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) të koalicionit qeveritar, tha se Kosova javën e kaluar ka marrë vendime të mëdha, miratimin e ligjit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri të Kosovës dhe formimin e delegacionit shtetëror për dialog me Serbinë. Këto dy vendime, sipas Veselit, pasqyrojnë përkushtimin konkret të Prishtinës për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë në rajon.

Ai tha se Serbia gjatë gjithë kohës ka bërë obstruksione në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani gjatë dialogut në Bruksel dhe ka vazhduar me forcimin e agresivitetit për të penguar integrimin e Kosovës në mekanizmat dhe institucionet ndërkombëtare, ku rasti i fundit ishte ai me Interpolin, e cila çoi në vendosjen e taksës prej 100 për qind për mallrat nga Serbia.

“Kemi pritur reagim të balancuar të BE-së për këtë situatë, që ul tensionet dhe mohon politikat bllokuese për të dyja palët njësoj. Nuk kemi pritur që BE të reagojë vetëm ndaj nesh. Kjo mungesë e balancit të BE-së, te qytetarët e Kosovës me të drejtë ka krijuar përshtypjen e njëanshmërisë së Bashkimit Evropian”, ka thënë Veseli.

Ai më tej shtoi se bllokimi i avancimit të Kosovës drejt axhendës së Bashkimit Evropian paraqet një shqetësim serioz dhe vlerësoi se mos heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës edhe më tej vështirëson gjendjen në rajon dhe BE.

“Argumentet e llojit se me krijimin e shtetit të Kosovës, Serbia ka humbur shumë dhe tani është koha që Kosova të humb diçka, nuk janë racionale dhe nuk i shërbejnë as paqes, e as pajtimit dhe as arritjes së marrëveshjeve mes dy vendeve tona. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Bashkimi Evropian nuk mundet që Kosovën ta shohë nga perspektiva integruese e Serbisë. Rruga e Kosovës për në Bruksel nuk kalon, as nuk ka për të kaluar ndonjëherë përmes Beogradit”, porositi Veseli.

Veseli theksoi se Kosova pret që BE-ja gjatë dialogut të sigurojë parimin e trajtimit të barabartë të palëve dhe të dyja palët të kenë përfitime reciproke nga ky dialog.

“Presim nga BE që të trajtojë seriozisht dhe në mënyrë të balancuar çështjen e bllokadës së dyanshme. Kosova nuk do të veprojë njëanshëm me heqjen e taksës. Taksa nuk është problemi i vetëm dhe as më i madhi. Zgjidhja është trajtimi i barabartë dhe reciprociteti”, përfundoi Veseli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button