Pas 13 vitesh kapet i dyshuari për vrasjen mizore të foshnjës

Është kapur në Shqipëri Ramiz K., i dyshuari për vrasjen e foshnjës një vjeçe – Mirelit, që besohet se e ka kryer në prill të vitit 1999 në Vjenë. I dyshuari thuhet se ka keqtrajtuar në mënyrën më mizore foshnjën e partneres me të cilën bashkëjetonte. Pas krimit ai ishte arratisur dhe prej asaj kohe ia ka dalë të mbetet i pazbuluar.

Së fundi ai është kapur në Shqipëri dhe tash gjendet në burgun e atjeshëm ku e pret ekstradimi për në Austri, shkruan gazeta austriake Krone, transmeton albinfo.ch. 

Ngjarja në vitin 1999 ishte zhvilluar kështu: gjatë kohës sa nëna e Mirelit ishte në punë, si kameriere, e kishte lënë partnerin e saj Ramiz K. ta ruante foshnjën. Ramizi, atëherë 31 vjeç, besohet ta ketë keqtrajtuar rëndë foshnjën. Kur, pasi kthehet e ëma, e dërgon atë në spital, mjekët konstatuan 30 thyerje eshtrash në mesin e të cilave edhe thyerjen vdekjeprurëse të boshtit kurrizor si dhe plagë të shkaktuara nga djegiet. Veç të gjitha këtyre, Mireli ishte abuzuar edhe seksualisht.

Nëna e foshnjës kishte deklaruar se ajo vetë nuk kishte pasur fare të bënte me keqtrajtimin e foshnjës. Për këtë arsye dyshimi u orientua shumë shpejt te Ramiz K., i cili tashmë kishte marrë arratinë.

Vetëm tani, 13 vite më vonë, hetuesit duke bërë një kontroll rutinor të rasteve të vjetra i ranë në gjurmë të dyshuarit për vrasje. Ata kishin rishikuar gjurmët e gishtërinjve, të cilat në kohën e krimit ende nuk ishin të digjitalizuara. Në këtë mënyrë i ranë në gjurmë personit i cili me emrin e njohur për autoritetet, jetonte pa probleme në Kosovë.

Ndërkohë policia e ka kapur të dyshuarin dhe ai pret në burgun e Tiranës për tu ekstraduar në Austri, shkruan Krone.at, e cila të dyshuarit Ramiz K., i referohet si “serb”, duke pasur sigurisht parasysh shtetësinë e tij serbe gjatë kohës në të cilën ai dyshohet të ketë kryer krimin./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button