Menduh Thaçi do takohet me PYKA javën që vjen

Lideri i Partisë Shqiptare Menduh Thaçi, ka thënë se javën që vjen planifikon të takohet me lëvizjen qytetare PYKA si dhe me disa politikan dhe eksponentë tjerë të shoqërisë civile duke mos treguar për cilët emra e ka fjalën. Këto komente ai i bëri pas takimit me ambasadorin amerikan Paul Wohlers në Shkup. Ai ka thënë se nuk ka vendosur kushte për liderin e RDK-së, Rufi Osmani.

“Nuk është vendosje e kushtit për Rufi Osmanin, ose kështu ose ska, por ne jemi në hallin tonë sepse duhet të bëjmë parapërgatitjet për të kandiduar kandidatin tonë në qytetin e Gostivarit. Javën e ardhshme planifikojmë të takohemi me shoqatën joqeveritare PYKA dhe me disa eksponentë tjerë të shoqërisë civile dhe politikan që duhet të keni mirëkuptim se edhe disa ditë nuk do të ishte korrekte ti nxjerri emrat për shkak të tyre” ka thënë Thaçi. 

Sa i përket takimit me Wohlers ai ka thënë se në të temë qendrore ka qenë bashkëpunimi mes PDSH-së dhe LSDM-së.

“Bashkëpunim i cili u përshëndet nga ambasadori amerikan, si diçka e re që ndodh për herë të parë në Maqedoni. Një bashkëpunim serioz dhe korrekt, ndëretnik, mes dy forcave politike para qeverisjes. Biseduam edhe për çështje tjera të organizimit të brendshëm të shtetit, u përmend halli i vjetër, bllokimi i procesit eurointegrues” ka thënë Thaci duke mos komentuar sulmet e BDI-së ndaj këtij koalicioni.

“Kthimi i tyre në politikën e vjetër politike i bën dëm vetëm atyre, nuk jam i gatshëm dhe të përgjigjem me të njëjtën mënyrë” ka thënë Thaçi.

Ndryshe, sot partia e tij në Parlament ka kërkuar regjistrim të popullsisë në Maqedoni. 

“Nuk mund të ketë zgjedhje pa regjistrim të popullsisë. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se në periudhën 2001-2010 nga Maqedonia janë shpërngulur 500 mijë banorë. Kjo duhet të konfirmohet ose të mohohet me anë të regjistrimit”, ka thënë deputeti Zijadin Sela në Kuvend./portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button