Rama: Idiotsia serbe, në majën e pushtetit në Beograd

Kryetari i Partisë Socialiste i ka cilësuar idiotësi, deklaratat e presidentit serb Tomislav Nikoliç se serbët i kërcënon një gjenocid në Kosovë.

“Marrëzia serbe është kthyer në majën e pushtetit në Beograd përmes Nikoliçit. Serbët i kërcënon një gjenocid në Kosovë!….Çfarë idiotësie!”, nënvizon Rama në reagimin e tij në Twitter.

Më herët, presidenti serb deklaroi se serbët në Kosovë janë duke jetuar nën kërcënimin e gjenocidit dhe se nuk e përjashton ndarjen mes rajoneve të banuara me serbë dhe atyre me shqiptarë.

Në një intervistë ai kritikoi Kosovën, pavarësinë e së cilës, Serbia dhe aleatët e saj refuzojnë ta njohin.

Nikoliç, sinjalizoi se do të ketë një qëndrim më të ashpër sesa paraardhësit në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimit Evropian, duke argumentuar se deri tani Serbisë i është kërkuar që të bëjë më shumë lëshime në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin dhe se tashti do të duhej që të kërkoheshin më shumë kompromise nga Prishtina.

Duke folur për pjesën veriore të Kosovës, në të cilën serbët nuk e njohin autoritetin e Prishtinës, Nikoliç ka thënë se çdo përpjekje e Prishtinës për të vendosur autoritetin atje do të çojë në eksodin e serbëve.

“Çka nëse serbët ikin, kush do t’i pranojë rezultatet e një gjenocidi të tillë? Ky është një nga definicionet e gjenocidit: kur i dëboni 40 mijë njerëz, pa marrë parasysh a janë gra, burra, civilë apo ushtarë dhe kur e ndryshoni përbërjen etnike të territorit. Ky është gjenocid”, ka thënë Nikolliç.

Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka hedhur poshtë deklaratat e Nikoliç, duke theksuar se askush nuk duhet ta harrojë faktin se dy të tretat e serbëve jetojnë në pjesën jugore të Kosovës dhe janë plotësisht të integruar në vetëqeverisje në nivelin lokal dhe marrin pjesë në të gjitha institucionet në nivelin qendror.

Ndër të tjera kreu i qeverisë së Kosovës, nënvizoi se e kaluara e lidershipit të Serbisë nuk premton shumë.

Por, shtoi në këtë drejtim se kjo ka ardhur si rezultat i proceseve demokratike që kanë ndodhur në Serbi dhe vullneti i popullit të atjeshëm duhet të respektohet.

“Nuk kam ndërmend të gjykojë lidershipin aktual të Serbisë, duke u bazuar në veprat e tyre në të kaluarën, do t’i gjykojë në bazë të veprave që do të bëjnë tashti dhe në veçanti në lidhje me raportet me Kosovën”, ka theksuar Thaçi.

Lajme të ngjashme

Back to top button