IFRC: 300 mijë fëmijë në botë të pashoqëruar dhe të ndarë nga familjet

Të paktën 300 mijë fëmijë në botë janë pa shoqërues dhe të ndarë nga familjet, bëri të ditur Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), transmeton Anadolu Agency (AA).

Këto të dhëna IFRC i shpalosi në raportin “I vetmuar dhe i Pasigurt” të publikuar para konferencës “Marrëveshja Globale për Migrim të Sigurtë, të Organizuar dhe të Rregullt” që do të mbahet më 9-11 dhjetor në Marrakesh të Marokut.

Raporti thekson se “mijëra fëmijë emigrantë janë në rrezik të dhunës, shfrytëzimit dhe abuzimit seksual në baza ditore” dhe vë në dukje dështimin e bashkësisë ndërkombëtare në këtë drejtim.

Në raport thuhet se nuk ka numër të saktë të fëmijëve emigrantë të pashoqëruar dhe të ndarë, megjithatë, thekson raporti, “sipas vlerësimeve më të fundit të Kombeve të Bashkuara (OKB), në vitin 2017 në gjendje të këtillë kishte 300 mijë fëmijë”.

“IFRC beson se ky numër është shumë më i madh sot”, thuhet në raport.

Raporti theksoi se rreziqet e sulmeve dhe abuzimit seksual ndaj fëmijëve migrantë, qofshin femra ose meshkuj, janë shumë të larta në rreth 80 vende.

Francesco Rocca, president i IFRC-së, tha në deklaratën e tij në lidhje me raportin se numri i fëmijëve që migrojnë vetëm apo të ndarë nga familjet është rritur në mënyrë alarmante në dhjetë vitet e fundit.

“Këta fëmijë janë bërë pre e lehtë për trafikantët, abuzuesit dhe shfrytëzuesit në një mënyrë tragjike dhe të papranueshme”, theksoi Rocca.

“Bota ka dështuar në lidhje me këta fëmijë. Është përgjegjësi e të gjithë ne t’i mbrojmë ata”, shtoi ai.

“Marrëveshja Globale për Migrim të Sigurtë, të Organizuar dhe të Rregullt” në Marrakesh do të jetë konsensusi i parë ndërkombëtar që do të trajtojë çështjen e emigracionit në shkallë globale, do të promovojë bashkëpunimin dhe do të synojë luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Marrëveshja u arrit në muajin korrik pas 18 muajve negociata nga 192 shtete, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ndërsa do të mbështetet nga një projekt-rezolutë që do të votohet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 17 dhjetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button