Kanadaja sanksionoi 17 sauditë për vrasjen e Khashoggit

Kanadaja mori vendim për të sanksionuar 17 sauditë të dyshuar si bashkëpunëtorë në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Vrasja e Jamal Khashoggit është e neveritshme dhe përfaqëson një sulm të padrejtë ndaj lirisë së shprehjes të të gjithë individëve”, tha në një deklaratë ministrja e Jashtme e Kanadasë Chrystia Freeland.

“Kanadaja vazhdon të kërkojë hetim të besueshëm dhe të pavarur”, ka thënë Freeland, duke shtuar se “personat përgjegjës për vrasjen e Jamal Khashoggit duhet të japin llogari dhe të përballen me drejtësinë”.

Megjithatë, lista nuk përfshin princin e kurorës Mohammed bin Salman, për të cilin zyrtarët e inteligjencës amerikane dyshojnë se ka urdhëruar vrasjen në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Kolumnisti i Washington Post, i cili shpesh ishte kritik ndaj qeverisë saudite, shkoi në konsullatë më 2 tetor dhe nuk u shfaq më asnjëherë.

Qeveria amerikane ka vendosur sanksione ndaj 17 zyrtarëve sauditë më herët gjatë këtij muaj, duke pohuar se ekipi ekzekutues prej 15 personash shkoi në Turqi për ta kryer vrasjen.

17 sauditët e sanksionuar janë të njëjtit që Rijadi zyrtar i ka fajësuar dhe arrestuar për vrasjen.

Qeveria saudite ndryshoi sqarimin zyrtar për vrasjen, duke e mohuar atë fillimisht, ndërsa më pas tha se vrasja ishte aksidentale dhe më në fund iu referua asaj si një operacion jashtë komandës.

Turqia ka kërkuar ekstradimin e vrasësve për t’u gjykuar në Turqi, ku ndodhi krimi.

Ndërkohë, princi i kurorës ka udhëtuar në Argjentinë për të marrë pjesë në Samitin e G20-tës, ku të pranishëm janë edhe zyrtarët turq, amerikanë dhe kanadezë.

Ai u përball me protesta në Buenos Aires, ndërsa samiti pritet të krijojë tensione mes princit dhe liderëve perëndimorë.

Një numër i kryeqendrave perëndimore i kanë bërë thirrje gjithashtu Arabisë Saudite ta ndalojë luftën e saj në Jemen.

Samiti i Liderëve të G20-tës mbahet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button