Dhuna e 27 Prillt, OJQ-të: Me amnisti rrënohet shteti i së drejtës

Organizatat joqeveritare nuk e përkrahin amnistinë eventuale për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedoniës, pasi që sipas tyre, me këtë dërgohet sinjal për pandëshkueshmëri, njofton Portalb.mk.

“Për ngjarjen e 27 prillit ka proces gjyqësor, nga ana tjetër amnistia është hap politik. Ne do të themi si grup i organizatave joqeveritare të cilat janë të përkushtuara për respektim të ligjeve dhe të drejtave njerëzore, para se gjithash jemi të përkushtuar për barazinë e qytetarëve dhe tejkalimin e momentit të pandëshkueshmërisë së strukturave të caktuara. Nëse procedurë gjyqësore korrekte dhe transparente dëshmohet faji, pavarësisht se kush është, duhet të mbajë përgjegjësi”, Hajdi Shterjova nga Komiteti i Helsinkit.

Përfaqësuesja e Koalicionit për Gjykim të Drejtë, Natalia Petrovska, thekson se amnistimi eventual i dhunuesve të 27 prillit do ta rrënonte shtetin e së drejtës.

“Me vendimin për amnisti në mënyrë indirekte ndikohet në sistemin gjyqësor, madje do të shkoja deri atje sa të përdorja frazën se kjo e rrënon shtetin ligjor dhe jep porosi për pandëshkueshmëri në korniza të veprave penale të caktuara”, deklaroi Petrovska.

Idenë për të mos pasur amnisti për ngjarjet e 27 prillit e përkrahin edhe Instituti për Politika Evropiane, Qendra për Hulumtime Juridike dhe Analiza dhe Shoqata e Juristëve të Rinj.

Kundër amnistisë, u deklaruan edhe ambasadorët e Holandës dhe Gjermanisë, të cilët porositën se duhet të ketë përgjegjësi.

“Pajtimi i shoqërisë si tërësi, mundet thjeshtë të arrihet nëse njerëzit që kanë kryer vepra penale e marrin përgjegjësinë për të njëjtën”, theksoi ambasadori i Gjermanisë, Tomas Gerberih

“Holanda disa herë e ka theksuar rëndësinë e sundimit të së drejtës jo vetëm për plotësimin e kritereve për anëtarësim në Union, por edhe për përmirësimin e standardit jetësor në Maqedoni. Në lidhje me nevojën për pajtim, patjetër duhet të përsëris se kjo nuk nënkupton jo-ndëshkueshmëri, unë plotësisht i përkrah qëndrimet e kolegut tim gjerman”, tha ambasadori i Holandës Vauter Plomp.

Të hënën, Kuvendi e hodhi poshtë propozim-ligjin për amnisti të VMRO-DPMNE-së, sipas të cilit parashihej që të gjithë të akuzuarit, dënuarit dhe të përndjekur për ngjarjet e përgjakshme në Kuvend, të lirohen nga të gjitha vendimet dhe akuzat.

Megjithatë, pushteti dhe grupi i deputetëve të pavarur të cilët u shkëputën nga VMRO-DPMNE-ja, pasi votuan për ndryshimet kushtetuese, janë pjesë e trupit për pajtim nacional. Nëpërmjet këtij trupi, po kërkohet amnisti për 27 prillin, por jo sipas versionit të VMRO-DPMNE-së.

Ndonëse LSDM-ja pushtetarë vazhdimisht propagandon se nuk do të ketë amnisti, megjithatë kryeministri Zoran Zaev, në një intervistë për 360 shkallë, deklaroi se amnistia nuk mund të përjashtohet dhe se është pjesë e bisedimeve për pajtim.

Çështja e amnistisë u vu në pah të proceseve politike në Maqedoni, si rezultat i mungesës së shumicës së dy të tretave për të kaluar ndryshimet kushtetuese në Kuvend, me të cilat do të hynte në fuqi Marrëveshja e Prespës për çështjen e emrit. Me këtë, Maqedonia do të anëtarësohej në NATO dhe njëkohësisht do t’i fillonte bisedimet për anëtarësim në BE në qershor të vitit 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button