Heshtja e Gruevskit, trimëri ose injorim?

Gjesti i kryeministrit Nikolla Gruevski që në muajt vijim mos të jep asnjë koment në lidhje me problemin e çështjes së emrit nga analistë e profesorë shihet si akt i matur i cili ndoshta është si pasojë e “ngrehjes” së veshëve nga Sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon i cili ishte në Maqedoni dhe u interesua personalisht për këtë çështje.

“Çdo moratorium në lidhje me deklaratat është akt i matur dhe i mençur dhe mendoj se mund të jetë produktiv. Nëse flitet publikisht kryesisht kemi dëme sepse në atë mënyrë ne nuk mund ta detyrojmë Greqinë të ndryshojë mendje” thotë analisti politik Albert Musliu. 

Sipas kumtesës së kabinetit të Gruevski, akti i tillë bëhet me qëllim që mos të lihet hapësirë që deklaratat e kryeministrit të përdoren si alibi për defokusimin e kontestit bilateral si dhe për të mos u keqpërdorur nga ana e politikanëve grek. 

Profesoresha Biljana Vankovska thotë se pa marrë parasysh se a do ta komentojë kryeministri apo jo, kontesti me emrin është si një elefant në mes të dhomës i cili nuk duhet të injorohet. 

“Nëse nuk flasësh për të ai nuk do të zgjidhet vetë-vetiu” shprehet Vankovska. 

Megjithatë ajo thotë se akti i tillë në shikim të parë duket trimëror dhe paraqet një porosi për të gjithë ata jashtë dhe brenda të cilët e akuzojnë se po udhëheq një politikë populiste, duke e shfrytëzuar kontestin me emrin.

“Tani Gruevski do t’i bëjë “kurth” opozitës e cila nuk ndalet së folur për emrin. Do të thotë: ja e mbylla gojën dhe nuk bëj probleme, dërgova mesazh deri te Samaras dhe bëra çmos” thekson Vankovska.  Mirëpo ajo mbetet pesimiste për zgjidhje të shpejtë sepse sipas saj “në këtë periudhë kur Greqia po ballafaqohet me dalje nga euro zona, vështirë se kryeministri grek do të gjejë kohë për çështjen maqedonas” përfundon Vankovska.

Sa i përket pozitës së faktorit politik shqiptar në lidhje me kontestin e emrit, Musliu thotë se gabimi më i madh i tyre në këtë kontekst është që nuk dalin me një pozicion të përbashkët.

“Derisa kjo çështje nuk ishte jetike për shqiptarët , ato nuk përziheshin në këtë problem, mirëpo dita-ditës është duke u kthyer në problem jetik që bllokon euro-integrimet, procese këto që janë kruciale për progresin tonë. E keqja është se shqiptarët nuk kanë një konsensus, një deklaratë të përbashkët lidhur me këtë çështje dhe atë t’ia prezantojnë faktorit politik maqedonas, të jetë çështje e apsoluar, mos të ketë dilema” thekson Musliu.

Kontesti i emrit me Greqinë po zvarritet tani më dy dekada, edhe pse Sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon i shoqëruar me ndërmjetësuesin në këtë kontest Matthew Niemetz ishin në Maqedoni dhe më pas ky i fundit në Athinë, në publik nuk doli ndonjë gjë konkrete për zgjidhje eventuale, përpos deklaratave standarde se të dyja palët dëshirojnë zgjidhje sa më të shpejtë. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button