Spanja paralajmëroi veto ndaj Brexit nëse nuk ndryshohet statusi i Gjibraltarit

Spanja do të vendosë veto ndaj marrëveshjes Brexit midis Britaisë dhe Bashkimit Evropian (BE) nëse nuk bëhet ndryshim në statusin e Gjibraltarit, territor britanik jashtë shtetit, tha kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Pas bisedës sime me Theresa May, qëndrimet tona mbeten shumë të largëta”, shkroi Sanchez në rrjetin social Twitter.

“Qeveria ime gjithmonë do të mbrojë interesat e Spanjës. Nëse nuk ka ndryshime, ne do të vendosim veto ndaj Brexit”, ka shtuar Sanchez.

Gjibraltari, territor britanik jashtë shtetit me një popullsi prej rreth 30.000 banorësh, iu dorëzua Britanisë nga Spanja nën Traktatin e Utrehtit të vitit 1713, por pretendimet spanjolle mbi këtë rajon kanë vazhduar. Në referendumet e vitit 1967 dhe 2002, popullata e vendit kundërshtoi gjerësisht propozimet për t’u qeverisur nga Madridi.

Sanchez më herët ka thënë se Spanja do të votojë kundër marrëveshjes pasi nuk është e kënaqur me pjesën e saj që ka të bëjë me marrëdhëniet e ardhshme të Gjibraltarit me BE-në.

Spanja ka kërkuar të ketë fjalën e fundit mbi çdo marrëveshje në të ardhmen në lidhje me këtë vend.

Sipas rregullave të BE-së, marrëveshja mund të kalojë me shumicën e vendeve të BE-së dhe jo me miratimin e të gjitha vendeve, kështu që Spanja nuk mund të frenojë marrëveshjen e vetme.

Të enjten, May tha se ka biseduar me Sanchez dhe se është “e bindur se të dielën do të jemi në gjendje të pajtohemi për një marrëveshje për të gjithë familjen e Britanisë, duke përfshirë edhe Gjibraltarin”.

Britania dhe udhëheqësit e BE-së nga 27 vende anëtare do të mblidhen për një raund të fundit bisedimesh në Bruksel në samitin e posaçëm të Brexit-it të dielën.

Më 13 nëntor, May finalizoi marrëveshjen e Brexit-it prej 585 faqesh që kabineti i saj ra dakord të mbështesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button