Golgota e familjes Sulejmani nga Shkupi, sëmundje dhe varfëri

Familja e Faruk Sulejmanit nga lagjja Seravë e Shkupit, është një ndër shumë ata familje të cilat me shumë vështirësi arrijnë të sigurojnë kafshatën e bukës. 

Tetë anëtarë numëron kjo familje, ndërsa të hyrat nga shteti janë zero. Në shtëpinë me një dhomë, ata gjatë gjithë ditës, përgatisin, ushqehen, jetojnë, flenë dhe kujdesen për vjehrrin e tyre të paralizuar. Deri tani askush nuk u ka dalë në ndihmë. 

Ndihmën sociale të cilën e kanë pranuar në vlerë prej 2 mijë e 500 denarësh edhe atë ua kanë ndaluar, thotë bashkëshortja e Farukut, Sevërxhane Sulejmani.

“Ne jemi tetë anëtarë në familje, unë, burri im, katër fëmijët dhe vjehrrit e mi. Jetojmë në lagjen e Seravës, tek rruga e plastikave. Burri im nuk punon, vetëm ndonjëherë në mënyrë private ku gjen punë, përndryshe është pa punë, ndihëm sociale na i kanë ndalur, sepse nuk i kemi plotësuar si duhet dokumentet. Kemi marrë më herët edhe ato 2 500 denarë tani më nuk i marrim” tha Sevërxhane Sulejmani.

Shtrenjtimet e fundit të rrymës dhe paralajmërimet për rritjen e çmimit të drunjtëve kanë shqetësuar edhe më tej familjen Sulejmani.

“I kam katër fëmijë, të gjithë janë në shkollë fillore, është shumë vështirë filloi viti shkollor, nuk mund të përballohet, çdo njëri dëshiron të përgatitet për shkollë, duan fletore dhe libra e veshmbathje. Jeta është shumë e vështire, tani edhe vjeshta afrohet, nevojiten drunjtë por edhe adetet e vjeshtës turshi, ajvar… është tepër e vështirë nuk mund ti përballojmë, nuk kemi asnjë mundësi, askush nuk na ndihmon” sqaroi më tej Sulejmani.

Edhe më të vështirë jetën e tyre e bën shtëpia ku jetojnë, dhe sëmundja e vjehrrit të tyre.

“Prindërit e burrit tim jetojnë tek ne, vjehrri im është i paralizuar ai nuk mund as të flas, as te ec, nuk mund të sigurojmë as ilaçet për të, vjehrra edhe ajo nuk mundet. Jetojmë vetëm me një dhomë aty tetë anëtarë gjatë gjithë ditës hamë e pimë, përgatisim, flemë. Ngushtë jemi tepër. Ndihma kemi kërkuar gjithkah Kalliri i Mirësisë na ka ndihmuar por tjetër kush jo” tha më tej ajo.

Ndryshe, të gjithë ata që duan ti ndihmojnë kësaj familje dhe të shprehin humanitetin mund të paraqiten në numrin e telefonit 070 644 030 për të kërkuar nikoqirin e shtëpisë Faruk Sulejmanin./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button