Edhe pas mosmarrjes së datës, zgjedhjet e parakohshme nuk preferohen

Edhe përkundër pritjeve të opinionit publik në Maqedoni, vendi nuk morri datë për fillim të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Duke marrë parasysh se prioritet i kësaj qeverie, sidomos i subjektit shqiptar në qeveri BDI në këtë mandat ishin eurointegrimet, disa prej ekspertëve mendojnë politika e tillë është delegjitimuar dhe se e njëjta duhet të rishikohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Kjo paraqet delegjitimim të politikave të qeverisë aktuale, të platformave politike të BDI-së dhe VMRO-së, dhe kjo situatë e re duhet të rikonfirmohet me zgjedhje të reja. Mirëpo duke pasur parasysh faktin se kapacitetet e Maqedonisë nuk janë të favorshme që të organizohen zgjedhje të reja, mendoj se nuk do të provojnë por do të krijojnë kushte të reja të blerjes së kohës, duke akuzuar Greqinë, duke akuzuar Bashkimin Evropian e kështu me radhë. Zgjedhje duhet të ketë sepse pushteti tani e tutje është jolegjitim. Programet me të cilat fituan zgjedhjet dhe bënë politikë gjatë gjithë kësaj kohe u delegjitimuan” – thotë analisti Alajdin Demiri.

Nga ana tjetër, sipas analistes Biljana Vankovska nuk mund të presim zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse sipas saj të njëjtat nuk do të zgjidhin asgjë, pasi problemet me eurointegrimet do të mbeten.

“Nuk mendoj se do të shkohët në zgjedhje, së paku nga ajo përshtypja fillestare nga reagimi i zëvendës kryeministres për eurointegrime Teuta Arifi, ajo dukeshte e vendosur që të punon intensivisht në muajt e ardhshëm që të marrim ndonjë raport pozitiv pas 3-4 muajsh në aspekt të ndonjë përparimi dhe deri në qershor të marrim datë për bisedime, kjo është ajo që tha Arifi. Nga ana tjetër te partneri maqedonas në koalicion ka një dëshpërim më të madh, kjo është e dukshme, por edhe ajo është e qartë sepse si e para nuk e drejtojnë resorin për eurointegrime dhe e dyta sepse morrëm një tjetër veto nga Greqia. Zgjedhjet nuk do të zgjidhin asgjë, në një moment të tillë mendoj se as opozita nuk duhet të kërkon zgjedhje, për shkak se nuk shkon në interes të shtetit, nuk ka çfarë të ndryshon. Do të kemi kompozim të ri apo të vjetër të qeverisë, por problemet në aspektin e eurointegrimeve do të mbeten të njëjta” – deklaroi Vankovska.

Edhe nga BDI thonë se zgjedhjet e parakohshme nuk janë të nevojshme në këtë periudhë. Sekretari gjeneral i kësaj partie Abdylaqim Ademi thotë se nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme ato do të ishin të tretat me radhë, gjë që përcjell mesazh jo të mirë deri të qytetarët dhe institucionet ndërkombëtare.

“Mendoj që opsioni i zgjedhjeve të parakohshme mund të jetë i hapur por nuk është i nevojshëm për Maqedoninë sepse ne kemi si qeveri dhe si parti në pushtet program shumë ambicioz për ta implementuar dhe i njëjti duhet të implementohet dhe nuk është mirë që Maqedonia të shkojë në zgjedhje të parakohshme edhe për një fakt tjetër sepse nga viti 2008 deri tani do të ishin zgjedhjet e treta të parakohshme dhe do të përcillnin një porosi jo të mirë deri tek qytetarët dhe institucionet ndërkombëtare që ne nuk jemi të zotët mandatin e marrë nga qytetarët ta përcjellim për katër vite apo ta përmbushim për katër vite, prandaj nuk është mirë të shkohet në zgjedhje të parakohshme” – tha Ademi./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button