Mustafa: Dialogu i papranueshëm, derisa Serbia e pengon Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha pas një takimi me kryesinë e partisë së tij, se dialogu me Serbinë është i papranueshëm derisa, siç u shpreh ai, Serbia e pengon Kosovën në arritjen e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë, transmeton REL. 

“Nuk është (presidenti i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq ai që të vë kushte për dialogun dhe për atë që duhet të ndryshojë Kosova në qëndrimet e saj, por është Kosova, e cila duhet të kërkojë të mos vazhdojë dialogu përderisa Serbia nuk e ndërpren fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës”, tha Mustafa.

Mustafa tha se nuk e përjashton mundësinë që të pranojë edhe nënshkrimet e subjektit politik që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës – Lista Serbe – për mocionin për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

“Ne po vërejmë qe po flitet për këtë iniciativë. Ne kemi marrë iniciativën si LDK, që të përgatisim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Ne po ashtu, të gjithë e dimë se Qeveria që unë kam drejtuar, është rrëzuar me Listën Serbe, edhe mocioni është nënshkruar edhe nga njerëzit e Listës Serbe, sepse si duket zoti (kryetari i Parlamentit, Kadri) Veseli ka thënë se unë kam organizuar rrëzimin e Qeverisë, ka dashur që ta krijojë një vëllazërim-bashkim në rrëzimin e asaj qeverie. Po, nëse nuk bëhet e tillë, ne do ta zbatojmë Kushtetutën”, tha Mustafa.

“Kosova duhet të punojë edhe më shumë në punët që kanë të bëjnë me integrimet evropiane”, tha ai.

Mustafa foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku tha se institucionet e Kosovës nuk guxojnë që ta fajësojnë Bashkimin Evropian për vonesat e deritanishme.

“Ka ngecje në implementimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Ka ngecje në implementimin e agjendave e reformave evropiane. Ka veprime që po ndërmerr Qeveria që janë në kundërshtim me këto dy dokumente shumë të rëndësishme evropiane”, tha Mustafa

Ne konferencën për media, Mustafa tha se është vërejtur se Qeveria po vendoset mbi Kuvendin dhe mbi institucionet e tjera të pavarura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button