Ndotja në Tetovë është zvogëluar për 60 përqind pas mbylljes së Jugohromit (infografik)

Sipas matjeve të Ministrisë për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, 60 përqind e ndotjes së ajrit në Tetovë ka qenë rezultat i punës së kombinatit “Jugohrom” prodhimtaria e të cilit është ndalur më nëntor 2016 për shkak të mungesës së filter stacionit përkatës, shkruan “Meta“, transmeton Portalb.mk.

Në vitin 2015, koncentracioni mesatar mesditor i PM10 grimcave në Tetovë ka qenë 298 mikrogram për një metër kub. E dukshme është rënia prej më shumë se 60 përqind të koncentracionit të këtyre grimcave kancerogjene në vitin 2017 kur kombinati nuk punonte aspak.

“Ka përmirësime në cilësinë e ajrit, por nuk mund të themi se ka ajër të pastër në Tetovë. “Jugohrom” ishte problemi më i madh, por jo i vetmi. Problem është edhe mënyra si ngrohen ekonomitë shtëpiake, kapacitetet më të vogla prodhuese me “B” licencë ekologjike. Gjithashtu problematik është edhe flota e madhe e mjeteve motorike, vlerësohet që ka 40.000 mjete motorike të regjistruara në Tetovë”, thotë Arijanit Xhaferi nga “Eko Gerilla” joqeveritare.

Ai thekson që as ata si OJQ, as qytetarët e Tetovës nuk do të lejojnë sërish të aktivizohet “Jugohrom” pa instalimin e filtrave të nevojshëm.

Sipas Ligjit për mbrojtje të mjedisit jetësor, meqë bën pjesë në radhët e ndotësve të mëdhenj ekologjik “Jugohrom”, duhet të posedojë “A” licencë ekologjike për punë që donë të thotë instalim të filtrave adekuat dhe pajisje tjera për pastrim të ajrit prej materieve të hedhura.

“Jugohrom krejtësisht ka ndalur procesin më 2 nëntor të vitit 2016, me çka rreth 800 të punësuar ngelën pa punë. Udhëheqësia e Kombinatit vendosi të zbatojë vendim të Inspektoratit për mjedis jetësor për mbyllje të fabrikës për shkak të mosrespektimit të afatit përfundimtar për ndërtim të stacionit të filtrave, që skadoi më 30 tetor 2016.

Zëvendësi i kryeministrit, përgjegjës për çështje ekonomike, Koço Angjushev në korrik të këtij viti tha se qëndrimi i Qeverisë është i qartë – “Jugohrom” nuk mund të rifillojë me punë nëse nuk i plotëson standardet ekologjike. Ai atëherë shtoi se “Jugohrom” është duke i instaluar filtrat dhe i tërë procesi duhet të përfundojë deri në tetor-nëntor të këtij viti.

Kompania, në pajtim me planin financiar, duhet të sigurojë edhe një milion euro, ndërkaq nëse e bën atë, Qeveria do t’i ndihmojë me kredi prej 1,5 milion euro shtesë nga Banka Maqedonase për përkrahje të zhvillimit, me çka do të mund ta rrumbullakojë procesin në tërësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button