Banorët e Çegranit: Ministria e Drejtësisë na i zapton tokat

Banorët e fshatit Çegran janë të revoltuar nga vendimi i Ministrisë së Drejtësisë për të ndërtuar një objekt edukativo- korrektues në rrethinën e Rudinës në kuadër të fshatit të Volkovisë në afërsi të fshatit Çegran.

Ata thonë se me realizimin e këtij projekti qeveritar ekzistenca e tyre në këto rajon do të bëhet e vështirë sepse do të ndotet uji i pijshëm si dhe do t’ju merren tokat të cilat ata i kanë të vetmin burim mbijetese. Ata thonë se janë të gatshëm që me çdo kusht të ndërpresin fillimin e këtij projekti që sipas tyre është i pakuptimtë. 

“Fshati Çegran kërkon të bëje njoftimin e opinionit të gjerë se Ministria e drejtësisë së Republikës së Maqedonisë, me këmbëngulje merr vendime për realizimin e projektit për ndërtimin e objektit edukativo- korrektuese në rrethinën e Rudinës  në kuadër të fshatit të Volkovisë në afërsi të fshatit Çegran. Ky projekt seriozisht e sjell ne pyetje sigurimin dhe ekzistencën  e banorëve ne këtë rajon. Mosmiratimin tonë e treguam nëpërmjet protestës, ankesës deri në Ministri, Komunës së Bërvenicës, Avokatit të popullit, si dhe disa partive politike dhe organizatave joqeveritare. Mirëpo edhe më tej me këmbëngulje shtyhet ky projekt që do të sjell deri në shkatërrimin e popullatës sonë”- shprehen fshatarët.

Por nga ana tjetër nga ministria thonë se nuk e kanë ndërmend të ndalojnë  projektin e  ndërtimit të këtij objekti .

“Ne jemi në kontakt me pushtetin lokal në këtë fshat. Projekti do të vazhdojë të realizohet sipas planit të paraparë, nuk besojmë se një objekt i tillë do të shkonte në dëm të fshatarëve të këtij vendi por e kundërta. Fundja, tokat në të cilat ato punojnë janë të shtetit” tha zëdhënësja e Ministrisë së drejtësisë, Elirijana Zilbeari.

Ndërkaq, banorët kanë propozuar që problemi të zgjidhet duke ndërtuar objektin në ndonjërin prej shumë vendeve të pabanuara të Maqedonisë,ku nuk do të paraqet kërcënim për popullatën e rajonit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button