Kumanovarët të indinjuar nga shtrenjtimi i energjisë elektrike

Shtrenjtimi më  i ri prej gati 10 për qind i energjisë elektrike ka revoltuar tej mase edhe qytetarët e Kumanovës dhe Likovës. Ata shprehin habinë duke pyetur se a mban ndokush llogarinë në këtë shtet edhe për interes e qytetarëve dhe standardin e tyre jetësor?!

“Nuk janë bërë më interesant më shtrenjtimet. Ngritje të çmimeve po kemi çdo ditë. Kur zgjohemi në mëngjes në vend se të dëgjojmë ndonjë gjë të mire ne dëgjojmë lajme për shtrenjtime. Unë nuk di se deri ku do të arrijë çmimi i energjisë elektrike. A mban ndokush në këtë shtet llogari për qytetarët dhe për standardin e tyre. Lëre që mbi 30 për qind e qytetarëve janë të papunë, por edhe ai numër i pakënaqshëm i të punësuarve merr rroga të ulta. Pse nuk i ngrisin edhe rrogat dhe ti baraspeshojnë me shtrenjtimet e përditshme”  shprehet i revoltuar Isak Nuhiu, bujk nga komuna e Likovës. 

“Zoti e bëftë me hajr me këto çmime. Si ia kanë mësy vetëm një zot e dine. Na mbytën me shtrenjtime. Për shembull benzinat i lirojnë një herë,  pas dy javësh i shtrenjtojnë 10 herë . A jetohet kështu. Shtrenjtohet benzina, shtrenjtohet, rryma, paralajmërohen shtrenjtime të qindra produkteve. Deri kur kështu. Hajde o njerëz shtrenjtoni njëherë bile rrogat. Ose ajde e punësoni të rinjët që me vite presin punë. Mos ua humbni shpresat për jetesë në Maqedoni. Mendone  njëherë edhe  këtë , se lehtë është të shtrenjtohet gjithçka” na tha Zejadin Ebibi nga Kumanova. 

“Nuk e di si do tia dalim, shumica janë të papunë, këto shtrenjtime janë katastrofale” tha një banor tjetër i Kumanovës.

Për shtrenjtimet e rrymës kanë reaguar edhe banorët e Shkupit dhe Tetovës.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button