Irani akuzon Izraelin për përpjekje për sulme kibernetike
Irani e akuzoi Izraelin për përpjekje për sulm kibernetik kundër sistemeve të tij të komunikimit, transmeton REL.
Ministri i Informimit, Mohammad Javad Azari Jahromi, i bëri këto akuza përmes një postimi në Twitter.
Jahromi tha se sulmi kibernetik u pengua për shkak të “vigjilencës së ekipeve teknike” në Iran.
Më herët, zëvendësi i Jahromit, Hamid Fattahi, tha se ekipet teknike kanë zbuluar përpjekje të shumta për të depërtuar në sistemet e komunikimit të Iranit.
Fattahi tha se hakerët “janë zmbrapsur fuqishëm”.
Këto pretendime vijnë vetëm një javë pasi gjenerali Gholam Reza Jalali, udhëheqës i njësisë ushtarake të Iranit – përgjegjëse për luftën kundër sabotazhit, tha se telefoni celular i presidentit Hassan Rohani është përgjuar kohëve të fundit.